MENU
klinika

Detajet

Haxhiu: Krerët shtetërorë po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë

08.11.2023 - 15:37

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se krerët e shtetit po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Derisa theksoi se drafti për Asociacionin, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë nuk ofron asnjë lloj autonomie për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Haxhiu, në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën u shpreh më e rezervuar për të komentuar draftin, por bëri të ditur se kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupin Parlamentar në terma të përgjithshëm për propozimin e modernizuar për Asociacionin.

Ajo tha se po të ishte në dorën e kryeministrit Kurti, drafti do të bëhej publik qysh dje, mirëpo është kërkesë e ndërmjetësve që i njëjti mos të publikohet.

“Drafti për Asociacionin s’ofron autonomi për komunat me shumicë serbe në Kosovë“, tha ajo.

Pjesë e konferencës për medie ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ende s’ka nisur asnjë peticion që mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri.

Ai tha se kryetarët në veri po vazhdojnë punën, veçmas ata nga radhët e LVV-së, derisa shprehu mëdyshje se kryetarët nga radhët e PDK-së, që udhëheqin Zveçanin e Zubin-Potokun, e që detyrën e ushtrojnë nga zyra alternative, mund t’iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu pasi foli për rëndësinë e Institutit për krimet e luftës, bëri të ditur se tre krerët e shtetit janë duke punuar për hartimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Sa i përket padisë për gjenocid është në programin qeverisës. Është duke punuar kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryetari i Kuvendit të cilët janë të angazhuar në këtë drejtim. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të japim detaje por ju siguroj se jemi duke u marrë me këtë çështje”, tha Haxhiu.

E pyetur për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit, Haxhiu tha se procesi duhet të kthehet në pikën zero dhe se propozimi i Këshillit Prokurorial i Kosovës që sërish ta dërgojë emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, nuk është ligjor dhe kushtetues.