MENU
klinika

EMRI/ Pritet ekstradimi

I kërkuar nga autoritetet italiane, 48-vjeçari ishte fshehur në Berat

05.11.2023 - 11:48

Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane është arrestuar në Berat. Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin Andrea Ajasllari, i cili akuzohet për kanosje dhe për shfrytëzim prostitucioni.

Arrestimi i tij u bë në bashkëpunim mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma me qëllim ekstradimin në shtetin fqinj.

“Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë siguruar informacion nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për llogari të Italisë.

Në bazë të këtyre informacioneve, si dhe në vijim të bashkëpunimit intensiv për shkëmbimin e tyre, ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bënë të mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit A. A., 48 vjeç, banues në Skrapar.

48-vjeçari ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Komos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shfrytëzimi për prostitucion”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë”, thotë policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.