MENU
klinika

Çfarë thanë familja Reçi dhe detaji i zbuluar në celular

Mbeti i vrarë në atentat, zbardhet vendimi për Martin Bardhin

29.11.2023 - 23:35

Por ndërsa pritej që Erind Bardhi dhe babai i tij Martin Bardhi të përgjigjeshin përpara drejtësisë për atentatin e dështuar ndaj Saimir Reçit, një vendim fort i diskutueshëm Gjykatës së Lezhës, la në liri në muajin korrik të vitit 2023, Martin Bardhin.

58-vjeçari, solli në gjykatë, prova filmike, që sipas tij vërtetonin alibinë se në momentin e atentatit ndaj Saimir Reçit, në muajin mars, ai ndodhej në një vend tjetër, të ndryshëm nga ai i krimit. Ai po kështu paraqiti para gjykatës edhe disa dëshmitarë që sipas tij konfirmonin thëniet e tij, se në momentin e sulmit me armë ndaj Saimir Reçit, ai ishte i shoqëruar me këta persona, në një vend tjetër.

Nisur nga këto prova, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Lezhës, siç zbulon emisioni “Në Shënjestër” vendosi të ndryshojë masën e sigurisë të vendosur ndaj Martin Bardhit nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’. Ndërsa djali i tij Erind Bardhi, ishte ende në kërkim nga policia, në akuzën për ‘Vrasje me paramendim’ të mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje të armëve të zjarrit’. Por edhe pse kishte dy muaj që kishte fituar lirinë, Martin Bardhi thuhet se nuk dilte shpesh në qytet. Ai shihej rrallë në qarkullim. Ndërsa vetëm ditët e fundit, para se të binte pre e atentatit, kishte filluar ti shpeshtonte vizitat në lokalin e tij. Gjë që mesa duket e kishin vënë re edhe armiqtë e tij, të cilët kishin kohë që prisnin çastin e duhur për t’u hakmarrë ndaj tij.

Mundësi që u erdhi në shteg atë mëngjes të datës 27 shtator, kur Martin Bardhi la sërish banesën, për të vizituar lokalin e tij në qendër të Rrëshenit. Ashtu siç pritej, policia i ushtroi kontrollet e para në banesat e familjes Reçi në Rrëshen, kjo për shkak edhe të konfliktit të hapur që kjo familje kishte me atë të Martin Bardhit, pas atentatit të ndodhur në muajin mars ndaj Saimir Reçit.

“Nisur nga konflikti ndërmjet viktimës Martin Bardhi dhe familjes Reçi, nga ana jonë u ushtruan kontrolle në banesat e shtetasve Saimir Gjevalin Reçi, Elson Gjevalin Reçi, Martin Nikoll Reçi si dhe Gjevalin Nikoll Reçi, në qytetin e Rrëshenit. Ku gjatë kontrollit në këto banesa u gjetën shtetasit Gjevalin Reçi dhe Saimir Reçi. Ndërsa shtetasi Martin Reçi, rezulton të jetë paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 11.00 kurse shtetasi Elson Reçi, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria me datë 13 shtator 2023, ora 12.54, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas, me linjën ajrore Fly Dubai-1053-1054 Dubai”, thuhet në dosje.

Më interes për policinë ishte dëshmia e Saimir Reçit. Personit kryesor të dyshuar në lidhje me atentatin e ndodhur ndaj Martin Bardhit. Kjo edhe për faktin, pasi në muajin mars ai ishte shënjestër e atentatit të dështuar nga familja Bardhi. Gjatë marrjes në pyetje ai tha për grupin hetues se lajmin për vrasjen e Martin Bardhit e mësoi ndërsa ishte në banesë bashkë me një person tjetër.

“Rreth orës 7.10, unë jam zgjuar nga gjumi dhe jam marrë me një kabllo korrenti tek shtëpia ime, pasi kishte defekt. Kjo ka ndodhur deri rreth orës 8.30. Më pas unë thirra shtetasin Gon Arapi, për të rregulluar kabllorin e internetit dhe u ula bashkë me të në verandën e shtëpisë duke pirë kafe. Gjatë kohës që isha duke pirë kafe, ne dëgjuam krisma arme në qytet. Ndërkohë që Goni u largua nga banesa ime, unë doja të dilja në qytet. Aty kam takuar disa njerëz të cilët më thanë se kishte patur krisma arme tek spitali”, thuhet në dosje.

Saimir Reçi tha në dëshminë e tij të mëtejshme për grupin hetues, se ai nuk e vazhdoi më rrugën për në qytet. Dhe se u kthye në banesën e tij. Ndërsa lajmin për ekzekutimin e Martin Bardhit e mësoi nga televizori. “Në atë moment unë u ktheva përsëri në shtëpi dhe nuk lëviza më. Unë ngjarjen e mësova nga lajmet në televizor, ku aty pashë se ishte vrarë shtetasi Martin Bardhi”, vijon dosja. I pyetur në lidhje me konfliktin e vjetër që ai kishte me familjen Bardhi, Saimir Reçi shpjegoi edhe njëherë përpara oficerëve të policisë se si nisi në muajin mars debati që më pas përfundoi në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas të thënave të tij, gjithçka nisi pasi dyshimeve se pjesëtarë të familjes Bardhi po filmonin në drejtim të banesës së tij. Dhe një shpullë që ai adresoi ndaj njërit prej djemve të familjes Bardhi.

“Në lidhje me konfliktin me familjen e viktimës Martin Bardhi, të ndodhur përpara disa muajsh, gjithçka ka nisur pasi ndërsa po dilja nga banesa pashë djalin e shtetasit Paulin Lleshi pranë shtëpisë time, i cili ndërsa ishte në mjetin e tij një person tjetër, po filmonte nga shtëpia ime. Gjatë këtij momenti unë i ndoqa personat e lartpërmendur dhe i ndalova në rrugë përpara kishës. Aty unë kam qëlluar me shpullë djalin e Paulinit dhe në këtë kohë reagoi personi që ndodhej në mjet me të, të cilin edhe atë e godita me shpullë”, thuhet në dëshmi.

Saimir Reçi tha më tej se vetëm 30 minuta më pas në drejtim të tij u afruan Erind Bardhi dhe babai i tij Martini si edhe një i afërm i tyre, të cilët qëlluan me armë zjarri, në drejtim të makinës së tij.

“Pas rreth 30 minutash, teksa kisha dalë me automjetin tim në qytet dhe isha përballë lokal ‘Filopati’, pashë që nga një automjet ‘Audi’, zbritën shtetasit Erind Bardhi, Kristi Bardhi dhe bashkë me ta u afrua edhe babai i Rindit, të cilët mbanin pistoleta në duar. Gjatë kësaj kohe Erindi qëlloi tek xhami i mjetit tim dhe më pas edhe Kristi, ku gjatë largimit unë bëra aksident tek karburant ‘Kthella’”, shton ai.

Por ndërsa dha shpjegime për atë që ndodhi në atentatin ndaj tij në muajin mars, nga familja Bardhi, Saimir Reçi, mohoi çdo përfshirje të tij, në ekzekutimin e Martin Bardhit. Ai tha se nuk kishte asnjë dijeni për autorët e ngjarjes, dhe po kështu deklaroi se vëllai i tij Elson Reçi, kishte afro 2 javë që ishte larguar nga Shqipëria në drejtim të Dubait. Ashtu sikurse edhe u verifikua nga mosprania e tij gjatë kontrollit të ushtruar nga policia. Si edhe konstatimit të daljes nga pikat kufitare. E cila ishte në sinkron me thënien e vëllait të tij. Por ndërsa Saimir Reçi, i dyshuari kryesor për vrasjen e Martin Bardhit, hoqi çdo përgjegjësi nga vetja, interesante është sjellja e xhaxhait të tij. Martin Reçi, i cili u paraqit me dëshirën e tij të jepte dëshminë rreth ngjarjes, vetëm 30 minuta pasi ishte konsumuar atentati.

Tashmë jo në komisariatin e Rrëshenit, por në drejtorinë e Policisë Tiranë. Aty ku mohoi të kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes më të fundit të ndodhur në qytetin e tij. “Shtetasi Martin Reçi, i pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, ka shpjeguar se; Më datë 26 Shtator 2023, rreth orës 08.00, ka dalë nga banesa e tij në Rrëshen dhe pasi ka lënë vajzën tek shkolla e mesme e qytetit, ka shkuar tek lokali i tij Bar ‘Mirdita’, ku ka pirë kafe për afro 30 minuta me shtetasit Bledar Reçi dhe Paris Prenga. Më pas ai thotë se bashkë me inxhinierin Paris Prenga, janë nisur me mjetin e tij drejt Tiranës, për të kontaktuar me kompaninë ‘T…’. Gjatë rrugës ai deklaron se është ndalur tek karburant ‘E….’ në afërsi të Rubikut dhe tek dyqani i këmbimit valutor pronë e bashkëshortes së tij, ku ka qëndruar rreth 10 minuta dhe më pas është nisur për në Tiranë”, vijon dosja.

Martin Reçi tha më tej në dëshminë e tij, se lajmin për vrasjen e Martin Bardhit, dhe të asaj çfarë kishte ndodhur në Rrëshen, ai e mësoi nga bashkëshoqëruesi i tij,me të cilin në atë moment po udhëtonte drejt Tiranës.

“Gjatë rrugës për në Tiranë, Parisin e morën në telefon dhe e njoftuan për një ngjarje të ndodhur në qytetin e Rrëshenit. Pasi u interesuam, mësuam se ishte qëlluar me armë shtetasi Martin Bardhi”, thotë në dëshmi.

Menjëherë pas dëshmisë së dhënë në drejtorinë e policisë Tiranë, Martin Reçi u la i lirë të shkonte në përditshmërinë e tij. Por ndërsa nuk dha ndonjë detaj të rëndësishëm për hetimin, interesant është fakti se ai kërkoi vetë të jepte dëshminë në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Madje ai pati një bisedë me një nga drejtuesit e lartë të policisë në kryeqytet. Ndërsa po kaq interesant është edhe fakti që telefoni i Martin Reçit rezultonte i formatuar, pasi ishte paraqitur për të dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetues.

“Duke qenë se nipi im Saimir Reci, ka patur një konflikt me djemtë e viktimës, unë e pashë të arsyeshme të sqaroj pozicionin e tij. Dhe pasi kontaktova në telefon me drejtorin e Policisë Tiranë, z.Tonin Vocaj, u paraqita në DVP Tiranë, për të dhënë shpjegime. Lidhur me konfliktin me familjen e viktimës, dua të deklaroj se nga ana jonë, nuk kemi dërguar njerëz për tu pajtuar, pasi ata qëlluan me armë zjarri nipin tim Saimirin. Dhe po kështu nuk kemi patur asnjë komunikim me ta”, vijon më tej.

I pyetur se përse e kishte të fikur telefonin në momentin e paraqitjes së tij në polici për të dhënë dëshminë, Martin Reçi u justifikua se i kishte futur disa herë Pin-in gabim. Por ky justifikim nuk iu duk fort bindës oficerëve të policisë, të cilët konstatuan se telefoni ishte formatuar dhe se në të nuk kishte asnjë kontakt telefonik. “Lidhur me telefonin celular që Martin Reçi posedonte, në momentin që ai është paraqitur në polici, ai deklaroi se telefonin e kishte fikur përpara se të paraqitej aty, pasi i kishte futur kodin PIN gabim disa herë. Nga këqyrja e celularit të shtetasit Martin Reçi, rezultoi se telefonit i është bërë formatim dhe nuk kishte asnjë kontakt, thirrje hyrëse-dalëse, sms, apo aplikacione komunikimi si; Whats up, viber, messenger, telegram, signal, etj.

Për këtë arsye telefoni celular i shtetasit Martin Reçi, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe u dërgua për ekspertim teknik në I.P.Sh-Tiranë”, thuhet në dosje. I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes, Gjevalin Reçi, babai i Saimir Reçit, tha për grupin hetues, se ai e mësoi lajmin për vrasjen e Martin Bardhit, rrugës duke u kthyer në banesë, pasi kishte konsumuar një kafe në lokalin e tij në qendër të Rrëshenit. Por edhe ai, ashtu si familjarët e tij, mohuan të kenë gisht në ngjarje.

“Unë kam dalë nga banesa rreth orës 8.30 dhe nga aty kam shkuar në këmbë tek lokal ‘Mirdita’ që është lokali i vëllait tim Martinit. Te lokali kam pirë një kafe vetëm, ku kam qëndruar rreth 30 minuta dhe më pas jam nisur përsëri në këmbë për tek shtëpia. Pasi kam shkuar në shtëpi kam parë në televizor se kishte ndodhur një ngjarje në qytetin e Rreshenit, ku ishte vrarë shtetasi Martin Bardhi dhe ishin plagosur disa persona të tjerë. Pas kësaj kam shkuar tek shtëpia e vëllait tim Martinit, ku qëndron zakonisht djali im Saimiri. Aty kam gjetur punonjësit e policisë, ndërsa djalin, Saimirin, e kishin shoqëruar në komisariat”, thotë ai.

Por ndërsa Saimir Reçi dha koordinata në lidhje me vendndodhjen e vëllait të tij Elsonit, babai i tyre Gjevalini, tha për policinë, se nuk kishte dijeni se ku ndodhej një nga djemtë e tij. “Lidhur me djalin tjetër Elsonin, nuk kam dijeni se ku ndodhet, pasi ka rreth një javë që nuk e kam parë. Përsa i përket konfliktit me familjen e viktimës mund tju them se; në fund të muajit mars të këtij viti, njëri prej djemve të familjes Bardhi, ka ardhur duke filmuar tek shtëpia e vëllait tim Martinit dhe djali im Saimiri i ka ndjekur. Pasi ai i ka arritur, ata e kanë goditur dhe aty janë konfliktuar. Pas disa minutash, Saimiri ka dalë me automjet të blinduar për të pirë kafe dhe në rrugë përballë lokal ‘Filopati’, e kanë qëlluar me armë në automjet, por ka shpëtuar pasi mjeti ka qenë i blinduar”, shprehet ai.

Gjevalin Reçi, tha më tej se pas ngjarjes së muajit mars ku djali i tij ishte konfliktuar me familjen Bardhi, ai kishte mësuar se ishte arrestuar si i dyshuar për ngjarjen, Martin Bardhi. Dhe ishte shpallur në kërkim djali i tij. Ndërsa lidhur mbi konfliktin ai tha se nga ana e familjes Bardhi nuk ishte dërguar asnjë person për të biseduar apo për t’u pajtuar me ta. Dhe se nuk kishte asnjë kontakt me familjen Bardhi. Por ndërsa edhe Gjevalin Reçi, babai i Saimir Reçit, mohoi që familja e tij të kishte lidhje me ekzekutimin e Martin Bardhit atë mëngjes të 27 shtatorit, interesant është edhe një tjetër zbulim i grupit hetues, zbulim ky i ngjashëm me atë të Martin Reçit, xhaxhait të Saimir Reçit, ku këtë herë bëhej fjalë për Kleodor Hasanin, kushëri me familjen Reçi. Edhe ky ashtu si Martin Reçi, e kishte të formatuar telefonin gjatë marrjes në pyetje.

“Gjatë marrjes në pyetje shtetasi Kleodor Hasani, ka shpjeguar se; rreth orës 11.00 është zgjuar nga gjumi dhe ka parë në televizor se kishte ndodhur një ngjarje në qytetin e Rreshenit, ku ishte vrarë shtetasi Martin Bardhi. Ai thotë se e ka njohur si person por nuk ka pasur asnjë marrëdhënie me të.

Ndërsa pjesëtarët e familjes Reçi, i kishte kushërinj të largët nga ana e nënës dhe mbante marrëdhënie të mira me ta. Gjatë këqyrjes së telefonit celular të shtetasit Kleodor Hasani, u konstatua se telefoni i tij ishte i formatuar dhe nuk kishte asnjë kontakt, thirrje hyrëse-dalëse, sms, apo aplikacione komunikimi si; ëhats up, viber, messenger, telegram, signal, etj. Për këtë arsye telefoni i tij celular, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe u dërgua për ekspertim teknik në I.P.Sh-Tiranë”, thuhet në dosje.

Në lidhje me ngjarjen grupi hetues mori në pyetje edhe shumë persona të tjerë që mund të kishin dijeni mbi rrethanat. Por nga këto dëshmi nuk u zbulua asgjë me interes që mund të ndihmonte grupin hetues në zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa ekzekutimi mafioz i Martin Bardhit dhe plagosja e tre personave të tjerë në tavolinë me të, në sytë e komisariatit të Rrëshenit, solli edhe një furtunë në postën e vogël policore të këtij qyteti. E cila me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, u shkri e gjitha brenda ditës ku i pari që e pësoi ishte shefi i komisariatit, Klodian Kondi si dhe nëndrejtori i policisë Lezhë, Gentian Berberi.

Por ndërsa policia u ndal më së shumti në vrasjen e Martin Bardhit, te pista e konfliktit të armatosur që ai pati me Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit, në muajin mars, grupi hetues beson se mëria e fisit Reçi me atë Bardhi është shumë më e thellë dhe e vjetër se kaq. Dhe lidhet me përplasjen e madhe midis fiseve Reçi dhe Gjini, që ka shkaktuar shumë viktima në vitet e fundit midis palëve. Dhe më konkretisht në ekzekutimin e Kastriot Reçit më datë 7 janar të vitit 2020 në qendër të Rrëshenit. Kastriot Reçi që ishte pronari i Tv Media + (M+) në këtë qytet. Po çfarë lidhje ka Martin Bardhi me vrasjen e Kastriot Reçit apo qoftë edhe me autorët e ngjarjes? Bazuar në dyshimet e grupit hetues, familja Reçi beson se Martin Bardhi ka ndihmuar ditën e ngjarjes autorët e ekzekutimit të njeriut të tyre të afërt.

“Ditën kur snaiperi qëlloi mbi Kastriot Reçin nga një ndërtesë në mes të qytetit të Rreshenit, në një distancë rreth 150 metra, një kamerë sigurie ka fiksuar autorin teksa largohet. Në momentin e largimit, vrasësi i afrohet një automjeti ku në të qëndronte Martin Bardhi, duke i rënë lehtë automjetit me pëllëmbë si shenjë për t’i liruar parkingun. Ky detaj ka mjaftuar për familjarët e familjes Reçi duke ngritur dyshime që Martin Bardhi mund të ketë qenë një nga bashkëpuntorët e snajperit”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas grupi hetues ky fakt, dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i nisjes së konfliktit midis djalit të Martin Bardhit, Erind Bardhi dhe në krahun tjetër, Saimir Reçit. I cili besonte se po mbaheshin në përgjim nga familja Bardhi. Grupi hetues ka ngritur po kështu dyshime të arsyeshme se gjithçka që ndodh në qytetin e Rrëshenit është në kontrollin e grupeve kriminale.

“Makina që u përdor në vrasjen e Martin Bardhit rezulton të jetë e vjedhur një vit më parë në qytetin e Elbasanit. Prokuroria dha urdhër për kryerjen e 16 kontrolleve në banesat e dy palëve, por forcat RENEA nuk u gjetën asnjë armë, duke lënë dyshime që mund të ishin parapërgatitur. Organi i akuzës ngre dyshime që gjithçka ndodh në qytetin e Rrëshenit monitorohet nga grupe të ndryshme nëpërmjet kamerave të sigurisë, të cilat janë vendosur në disa pika në qytet dhe jane të një rezolucioni tejet të lartë”, thotë dosja hetimore.

Por a u bë Martin Bardhi kurban I përplasjeve midis familjeve Reçi dhe Gjini. Dhe ai ishte ai në të vërtetë, në krahun e familjes Gjini në këtë konflikt të armatosur midis dy familjeve që në vitet e fundit ka lënë më shumë se 10 të vrarë në gjakësinë e tyre./Në Shënjestër