MENU
klinika

Ministrja Koçiu nga Vlora

Nisin punimet për rindërtimin e Spitalit Psikiatrik të Vlorës

06.11.2023 - 16:58

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka qenë sot në qytetin e Vlorës për të parë nga afër punimet që kanë nisur për rindërtimin e Spitalit Psikiatrik.

“Kanë filluar punimet në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Një investim i buxhetit të shtetit i cili merr përsipër rindërtimin e plotë të godinave ku janë të akomoduar pacientët që vuajnë nga sëmundje të shëndetit mendor kronik. Krahas këtij investimi dhe jo vetëm në infrastrukturë dhe në mobilim dhe pajisje është e rëndësishme që të vijojmë krah për krah edhe me investimin në kapacitete humane, që do të thotë në trajtimin dhe trajnimit e vazhdueshëm të stafeve që shërbejnë në këto struktura spitalore me protokollet shëndetësore të miratuara tashmë.”– ka thënë ministrja Koçiu.

Por sipas ministres, për sa i përket investimeve për spitalet psikiatrike, ky nuk do të jetë i vetmi. Edhe në buxhetin e vitit 2024 janë parashikuar investime të tjera që do të shkojnë për Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe atë të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”.

Znj. Koçiu nënvizoi se në buxhetin e vitit 2024 janë të parashikuara investime të rëndësishme ku do të fuqizojmë dhe të përmirësojmë dhe forcojmë kapacitetet infrastrukturore në shërbimin për të sëmurë të shëndetit mendor.

Ministrja theksoi se gjatë vitit të ardhshëm do të investohet në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit dhe në shërbimin e psikiatrisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Krahas këtyre investimeve, ministrja e Shëndetësisë, Koçiu e konsideroi me rëndësi edhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit për t’u ofruar shërbim sa më dinjitoz pacientëve që janë të shtruar në këto struktura spitalore.