Analisti Mentor Nazarko ka folur në një lidhje me Skype për “Special Report”, për debatin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndër të tjera, ai ka thënë se në Kosovë nuk priten zgjedhjet, pas zgjedhjeve në Serbi.
Sipas Nazarkos, mund të jetë kërkuar mospublikimi i përmbajtjes së marrëveshjes.
“Po mundohem të kuptoj qëllimet e tyre. Ata mundohen që t’i atribuojnë këtë mungesë të transparence të Kurtit ose zgjedhjeve në Serbi, ose zgjedhjeve eventuale në Kosovë. Unë nuk besoj që pas zgjedhjeve në Serbi mund të ketë zgjedhje në Kosovë sepse kjo do ta shtynte arritjen e një rezultati të prekshëm të një dialogu edhe disa muaj më shumë. Ndërkohë, bashkësia perëndimore, europiane më saktë nuk dëshiron që në vitin zgjedhor qoftë të BE, qoftë SHBA, të ketë akoma ngërxhe në situatën e dialogut. Kështu që opozita bën këtë interpretim të parë dhe nga ana tjetër mendoj që nënkupton se në prononcimin e Kurtit dhe situatat më të vështira paraqiten propagandikisht si situata të suksesshme”, tha ai.
Më tej, Nazarko u shpreh se Kurti i vitit 2013 do ta shkatërronte Kurtin e 2023, pasi ka hequr dorë nga disa prej kauzave më të rëndësishme të karrierës së tij politike, si kauza e flamurit, e bashkimit kombëtar, e asocacionit, e negociatave pa kërkim falje.
“Zoti Kurti i 2013 do ta shkatërronte zotin Kurti të 2023, i cili ka hequr dorë nga disa prej kauzave më të rëndësishme të karrierës së tij politike, kauza e flamurit, e bashkimit kombëtar, e asocacionit, e negociatave pa kërkim falje etj. Mirëpo, politika është përbërë kryesisht dhe nga rimohimi i atyre që kanë qene betejat kryesore të opozitës. Thënë kjo, unë nuk mendoj njëjtë si opozita e Kosovës se Bashkia Perëndimore ka ndonjë synim ta përkëqësoj pozitën e Kosovës në negociata. Përkundrazi, unë mendoj që ata që kanë krijuar shtetin e Kosovës, dëshirojnë që ta bëjnë atë një shtet të vetëmjaftueshëm që jeton në paqe me fqinjët. Kështu që në pjesë e mirë e gjërave që ka artikuluar opozita sot janë në karakter propagandistik. Në gjykimin tim, opozita duke bërë kështu, është duke nxitur një lloj pakënaqësie të opinionit publik të Kosovës me Perëndimin. Ky është shqetësimi im kryesor. Ky është shqetësimi kryesor i Perëndimit”, u shpreh analisti./abcnews.al