MENU
klinika

Sa do të kushtojë dhe kur nis puna!

Porti i ri në Porto Romano do të financohet nga buxheti

02.11.2023 - 15:28

Porti i ri në Porto Romano në të cilin do të transferohen shërbimet e portit aktual të Durrësit do të financohet me fonde buxhetore.

Sipas tabelave që shoqërojnë projektbuxhetin 2024, ndërtimi i Portit të Ri në Porto Romano do të kushtojë 43 miliardë lekë (410) milionë euro dhe financimi do të sigurohet nga buxheti i shtetit kryesisht me financim të huaj.

Vitin që vjen janë programuar të alokohen rreth 8,6 miliardë lekë ose rreth 82 milionë euro. Në vitin 2025 janë planifikuar edhe 13 miliardë lekë dhe po 13 miliardë lekë edhe në vitin 2026 ku pritet të përfundojë porti i ri.

Ndërtimi i këtij objekti ishte diskutuar me pare, si një formë financimi me koncesion ose bashkëpunim shtet-privat PPP, por qeveria ka vendosur ta financojë nga buxheti.

Sipas njoftimeve zyrtare të mëparshme faza e parë e ndërtimit përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.

Në këtë fazë do të ndërtohet gjithashtu një objekti detar, fushëveprimi i të cilit ende nuk është përcaktuar.

Në këtë fazë do të ndërtohen vendbregëzimet, ndërtesat e përbashkëta, ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile, zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj.

Përveç përpunimit të mallrave rreth 2 milionë kontejnerë në vit, Porti i ri Porto Romanos parashikohet të përpunojë deri në 1 milionë pasagjerë në vit, edhe pse ky shërbim ishte lënë për tu kryer nga Marina e Jahteve në Durrës.

Autoriteti Portual i Durrësit ka lidhur tashmë një kontratë konsulence me bashkimin e operatorëve “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V. – ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C. – ABKONS SH.P.K. -TAULANT SH.P.K. – GEO-ENG SH.P.K.”, për përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve/superstrukturës për trajtimin e ngarkesave.

Royal HaskoningDHV që ka punuar për studimin e fisibilitetit për Portin ri në Porto Romano ka finalizuar një kosto totale prej rreth 2 miliardë eurosh për ndërtimin tërësor të portit.

Faza e parë e punimeve pritet të përfundojë në vitin 2025, por i gjithë porti do të përfundojë tërësisht në vitin 2050.

Porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset ne Porto Romano për arsye se në vend të tij do të zhvillohet një projekt i ri me ndërtesa luksoze dhe një marinë jahtesh, një investim me kompani pjesëmarrëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvendosja e shërbimeve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të bëhet në disa faza për një periudhe rreth 20 vjeçare.