Tensione të shumta u shkaktuan dje në Kryesinë e Kuvendit pasi 8 deputetët e përjashtuar të PD, nuk u lejuan nga Garda të futeshin në Kuvend, por çfarë pritet të ndodhë sot në Kryesi…
Ditën e sotme janë parashikuar një sërë komisionesh parlamentare, ku fokusi i diskutimit do të jetë projektbuxheti 2024.
Por, pas kaosit që deputetët e Rithemelimit kanë krijuar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ditën e djeshme, Partia Socialiste për të shmangur përplasjen me deputetët e Sali Berishës ka zhvendosur mbledhjet e komisioneve online.
Nga 10 mbledhje që janë parashikuar, 5 prej tyre janë vendosur të mbahen online. 5 të tjera do të zhvillohen në Kryesinë e Kuvendit, por deputetët e PD mund të përdorin sërish kaosin si prej javësh për të sabotuar punën. Në rast të bllokimit të punës, PS mund të marrë sërish vendimin për t’i zhvilluar edhe 5 mbledhjet e tjera online.
Ditën e djeshme, deputetët e PD shkaktuan kaos pasi nuk u lejuan nga Garda të futeshin në Kryesinë e Kuvendit. Kjo situatë shkaktoi tensione para portës së Kryesisë, duke bërë që disa nga deputetët e përjashtuar të kalonin kangjellat e disa të tjerë të futeshin nga dritarja.