MENU
klinika

"Sa kohë unë jam president edhe 27 vende të tjera janë tërhequr"

Zgjedhje për të njohur pavarësinë e Kosovës? Aleksandër Vuçiç e mohon sërish

10.11.2023 - 18:37

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ndodhet në Paris, ku po zhvillohet edhe Forumi dy ditor i Paqes, ndërsa ka deklaruar se nuk ka patur nisma për një takim të mundshëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

I pyetur nëse janë të sakta pretendimet e opozitës se atij i duhen zgjedhje për të njohur pavarësinë e Kosovës, ai përgjigjet duke cituar Aleksandër Tijaniçin se “secili lëviz brenda kufijve të korrupsionit të vet”, shkruan Danas.

“Kosova e pavarur, së paku nga pikëpamja e shqiptarëve dhe e perëndimit, është krijuar në kohën e Marko Jakshiçit dhe të DSS dhe Sllobodan Samarxhiçit dhe të gjithë të tjerëve. Millosh Jovanoviç, i cili atëherë ishte këshilltar apo çfarëdo… Që kur ndodhi në kohën e tyre, 85 shtete e njohën pavarësinë dhe që kur unë jam president, 27 vende e kanë tërhequr njohjen e tyre”, tha Vuçiç.

Ai shton se asnjë vend nuk e ka bërë këtë në kohën e tij sepse qeveria e asaj kohe as që e ka kërkuar. Ai ka kujtuar dërgesat e ËikiLeaks në të cilat, siç ka thënë ai, thuhet se “ata që janë në listën e “Serbisë kundër dhunës” janë ata që kanë kërkuar që Perëndimi të mos e njohë Kosovën, por ta bëjë këtë kur të vijnë në pushtet.”

“Nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Por unë kam 11 vjet që dëgjoj gënjeshtra. Ndonëse shumë patriotë të rrejshëm më dhanë predikime, kurrë nuk do ma falnin”, tha Vuçiç.

Sipas tij, për të gjithë në Perëndim është e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë ZSO.

“Mendoj se e kanë të qartë të gjithëve se Kurti nuk dëshiron të formojë ZSO-në, nuk dëshiron përparim në dialog, dhe se gjithçka tjetër ishte marifete ballkanike që funksionuan për një ose dy ditë. Për ne është e rëndësishme të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë, të ruajmë paqen, por nuk besoj se ZSO do të formohet ndonjëherë derisa Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, tha Vuçiç.

I pyetur nëse ka komente për kokëfortësinë e Kurtit për mospërmbushjen e marrëveshjes, Vuçiç thotë se edhe kur ka patur, nuk do t’i thoshte publikisht.

Ai në Pallatin Elysee do të ketë një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin do të diskutojë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Siç tha ai, Macron mund të pritet para fundit të vitit në Beograd.

Vuçiç tha se me kryeministrin e Belgjikës Alexander de Crook ka diskutuar për Kosovën, raportin e Komisionit Evropian, marrëdhëniet bilaterale, ardhjen e kompanive belge.