MENU
klinika

Hashtag-u ka fituar rreth 1.9 miliardë shikime

Ç’duhet të dish për ‘mewing’, trendin që po bën namin në TikTok

08.12.2023 - 07:06

Çdo ditë po shohim trende të reja në TikTok, disa prej tyre na shërbejnë dhe i përdorim në jetën e përditshme, ca të tjera i ruajmë, por s’i bëjmë kurrë dhe disa thjesht nuk janë për ne. Rishtazi mund të kesh parë vërdallë hashtag-un #mewing që ka fituar rreth 1.9 miliardë shikime dhe po bën namin.

Përdoruesit e TikTok bëjnë be e rrufe se ky trend mund ta bëjnë zonën e nofullës të duket e definuar, duke ndryshuar komplet fytyrën. Për këtë, kanë folur dy eksperte: Victoria Veytsman, e cila qëndron në krye të “Cosmetic Dental Studios” dhe Lauren Becker, themeluese e “Lauren Becker General and Cosmetic Dentistry”.

Ç’është ‘mewing’?

Përpos të qenit tendenca më e fundit në TikTok, ‘mewing’ njihet ndryshe si praktika e vendosjes së gjuhës në qiellzën e gojës, me qëllim për të ndryshuar sadopak tiparet e fytyrës. Përdoruesit e TikTok dhe YouTube e kanë pohuar se teknika i bën t’u duken nofullat më të ngushta dhe të definuara, por shkon edhe përtej estetikës, duke zgjidhur çështje si: apnea e gjumit, frymëmarrja me gojë dhe madje, i ka ndihmuar edhe për të rregulluar disi shtrembërimin e dhëmbëve.

Si mund ta bësh?

Një prej arsyeve pse ‘mewing’ është kaq popullor në TikTok, është sepse praktika është shumë e thjeshtë dhe “premton” rezultate të shpejta. Nëse ende s’e ke provuar, ja si mund ta bësh:

Hapi 1 – Relakso gojën, në mënyrën që dhëmbët dhe buzët të preken.
Hapi 2 – Mbyll buzët dhe bashko dhëmbët, njëkohësisht, ngri gjuhën dhe vendose në pjesën e qiellzës.
Hapi 3 – Mbaje gjuhën në këtë pozicion sa më gjatë, nëse është e mundur gjatë gjithë ditës, madje edhe në gjumë.

A funskionon?

Pavarësisht se ç’sheh nëpër TikTok, Dr. Becker thotë se nuk ka prova që kjo teknikë funksionon. Për këtë, edhe Dr. Veytsman bie dakord, duke shtuar: “Aktualisht, nuk ka asnjë rezultat që ka provuar se ‘mewing’ mund të ridefinojë fytyrën ose të drejtojtë dhëmbët”.

Plus, personat që pretendojnë se kanë pasur rezultate të shpejta nga mewing, në fakt e kanë provuar prej vitesh, kështu që, nuk është aspak një zgjidhje e shpejtë. Dr. Becker sugjeron se nëse ke një problem me dhëmbët, apo do të ndryshosh diçka në lidhje me strukturën e nofullës, kontakto me dentistin.

“Rreziqet” e ‘mewing’

Rreziku më i madh që lidhet me këtë teknikë është se pacientët nuk marrin kujdesin e duhur dhe të nevojshëm nga dentisti i tyre. Ndërsa Dr. Becker dhe Dr. Veytsman pajtohen se nuk ka një dëm konkret në pozicionimin e gjuhës, ato vërejnë se nëse dikush ka një problem serioz me kafshimin, ose edhe problem me apnenë e gjumit, duhet të konsultohet me mjekun dhe dentistin. “Ka metoda më të shpejta dhe më efektive se këto gjëra”, thotë Dr. Veytsman.

Ç’të provosh në vend të ‘mewing’?

Nëse po përpiqesh të gjesh një mënyrë për të definuar zonën rreth nofullës, konsultohu me dermatologun për trajtime që shtrëngojnë këtë zonë, pasi teknikat e rregullta si: masazhi i fytyrës, apo gua sha të ndihmojnë të definosh nofullën.