Dikur, në gati në çdo shtëpi në fshatin Lekaj të Lushnjës, rriteshin gjela deti.
Por këtë vit, banorët e këtij fshati shprehen se nuk po mbajnë më shpendët e festës e as nuk mund ta blejnë një gjel apo pulë deti për tryezën familjare të natës së ndërrimit të viteve. Alternativë u mbeten pulat e fushës.
“Ka shpenzime, do të hajë. S’kemi. Kërkesa ka, por nuk ka para. Për Vit Të Ri, do të marrim ndonjë pulë ose gjel fushe”, shprehet një nga banorët.
“Sivjet s’kam sepse nuk kam mundësi t’i rris. Do të marr ndonjë pulë të vogël, me aq sa mundësi kemi”, tha një tjetër.
Tregtarët e paktë që guxuan duket se po përfitojnë nga mungesa e konkurrencës.
“Jemi më mirë se sa vjet. Gjelat shkojnë 1000 lekë për kilogram, ndërsa pulat me 1200 lekë”, tha një nga fermerët që ka rritur këtë vit pula e gjela deti.