MENU
klinika

Artur Ajazi

SPAK apo “SKAP”?

14.12.2023 - 15:25

SPAK-u, tregoi edhe së fundmi, se mbetet struktura më solide e drejtësisë së re. Me shkresën e fundit drejtuar Parlamentit mbi fatin e Doktorrit të Rithemelimit, tregoi se, e ka seriozisht luftën ndaj pandëshkueshmërisë, deri në sferat e larta të politikës. Shqipëria postokomuniste, nuk ka njohur prej 32 vitesh një “valë” kaq të fortë penalitetesh ndaj ish-pushtetareve dhe qeveritareve aktualë. Gjithë ata që deri dje, kishin menduar se “kam postin dhe vjedh para dhe prona, dhe duhet të mbush thasët me miliona euor”, tanimë e kanë të pamundur përballjen me drejtësinë e re.

“SKAP-i partisë”, i thotë Doktorri, dhe ka mbi 1 vit e ca, që nuk i ndahet SPAK-ut, me sulme verbale, me akuza dhe sajesa, duke përbaltuar punën dhe angazhimin maksimal të një grupi prokurorësh dhe gjyqtaresh kurajozë dhe të denjë për detyrën e marrë. Por SPAK apo “SKAP” ? Po të ishte “SKAP”, mendoj se do të kishim sot akoma në detyrën ish-ministrat, zv.ministrat dhe zv.kryeministrin e Edi Ramës. Do të kishim akoma në detyrë, ish-drejtues dikasteresh, apo dhe “oligarkë të qeverisë”.

Por ka ndodhur e kunderta, dhe po ndodh sërish e kunderta e asaj që thotë gjithë ditën Doktorri. Edhe imunitetin që pengonte ndryshimin e masës së marrë nga SPAK-u, Parlamenti do ta heqë. Ndaj beteja e tij me “SKAP-in” nis tani. Beteja e mbrojtjes dhe “argumentave bindës” që ai ka për të hequr penalitetet. Por SPAK-u, deri sot ka treguar maturi dhe integritet, dhe nuk beson njeri se “ka lajthitur dikush brënda tij për të bërë lapsuse”, aq më keq, të shkelë ligjet.

Pandëshkueshmëria ndaj atyre që drejtuan vendin, dhe atyre që abuzojnë me postin në qeverisjen Rama, duhet ti takojë së shkuarës. E tashmja kërkon një drejtësi të motivuar, kurajoze, të denjë dhe të patrembur ndaj thirrjeve dhe akuzave banale të politikës. Kush vjedh, vendin e ka në burg, kush shkel ligjin dhe pasurohet me para taksapaguesish, vendin e ka në burg. Kush luan me investimet publike, vendin e ka në burg.

Kjo është zgjidhja që ligjet dhe drejtësia e re i kanë dhënë situatës dhe angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të integrimit për në Bashkimin Europian. Nuk mund të futesh në BE, me politikanë të korruptuar, të inkriminuar, me të shkuar të errët, dhe të pandëshkuar. Ndaj SPAK-u, kurrë nuk mund të jetë “SKAP-i”, por u krijua dhe mbetet deri tani, struktura më solide dhe më nderuese e një drejtësie të re, të pabaltosur nga afera të pista. SPAK-u, po tregon se nuk ndikohet as nga “folklorizmat” e Doktorrit, të cilat vetëm shpurrës së tij milionere mund ti shkojnë për shtat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN