MENU
klinika

Nisur nga videoja e Alketa Vejsiut

7 arsye pse disa njerëz mund të flasin më shpejt se të tjerët

22.01.2024 - 17:03

Nisur nga videoja e Alketa Vejsiut, e cila në një intervistë me Orinda Hutën, foli me një shpejtësi rekord, (pa u ngatërruar në asnjë moment) të tregojmë disa prej arsyeve pse disa njerëz mund të flasin më shpejt se të tjerët.

Janë nervozë – Mund ta kesh vënë re se edhe ti nis të flasësh më shpejt kur je para një grupi njerëzish, të cilët ndoshta nuk i njeh mirë. Një rast: Kur prezanton një projekt para klasës/kolegëve të zyrës dhe ndihesh i/e nervozuar dhe pak në ankth. Kjo, mund të jetë pasojë e frikës së gjykimit nga të tjerët, ose dëshira për ta mbaruar sa më shpejt fjalimin.

Emocionet pozitive – Shumica e njerëzve flasin më shpejt kur janë të lumtur, entuziastë, apo e kanë pasion diçka. Njëjtë edhe kur hapin lajme të mira. Kjo ndodh sepse janë të tejmbushur me ndjesi pozitive dhe mezi presin t’i ndajnë me njerëzit që po i dëgjojnë.

Inati – Ka persona që kur nevrikosen, kanë tendencën të flasin më shpejt se zakonisht. Inati ka dhuntinë që të interferojë me aftësinë për të komunikuar dhe menduar në mënyrë racionale, si dhe përshpejton dëshirën për t’i shprehur gjërat direkt, pa u menduar dy herë dhe pa bërë një pauzë (pak a shumë si kjo fjalia).

Përvojat e fëmijërisë –  Mund të të duket surprizuese, por të folurit shpejt mund t’i ketë rrënjët edhe në fëmijërinë e personave që flasin shpejt. Nëse këta individë janë rritur në familje me shumë anëtarë, të folurit shpejt ndoshta ka qenë mënyra se si marrin vëmendje ose ndihen se po i dëgjojnë.

Frika nga ndërprerja – Ca njerëz flasin shpejt sepse i druhen ndërprerjes dhe pamundësisë për të thënë atë që mendojnë. Të folurit shpejt u siguron atyre se po dëgjohen dhe askush nuk po i ndërpret.

Shpejtësia e mendimeve – Ka njerëz që në një kohë të shkurtër kanë shumë mendime, ndaj për të vendosur pak rend në mendjen e tyre kaotike, ata flasin më shpejt. Në shumë raste, ata flasin më shpejt se sa mendojnë dhe kjo e vështirëson punën për të filtruar mendimet e tyre.

Shëndeti mendor – Ndonjëherë, të folurit shpejt mund të lidhet me gjendje/sëmundje të shëndetit mendor, duke nisur që nga ADHD, ankthi, deri te skizofrenia dhe çrregullime bipolare. Të gjitha këto sëmundje e kanë si simptomë të folurin shpejt, ndaj para se të vetëdiagnostikohesh, konsultohu me një specialist.

Si të ngadalësosh kur ke tendencën të flasësh shpejt?

Në disa situata, të folurit shpejt mund të ndikojnë në aftësinë tënde për të komunikuar si duhet me njerëzit, ndaj ja ku i ke ca këshilla për ta parandaluar:

– Nëse ke një fjalim/diskutim për të bërë, monitoroje veten paraprakisht

– Bëj pauza të qëllimshme kur flet

– Kërkoju miqve që të të ndërpresin kur nis të flasësh shumë shpejt

– Shiko gjuhën e shenjave të personit që ke përballë, nëse po e merr apo jo informacionin që ti po i jep

– Konsultohu me një specialist