Ndërmjet 6 dhe 9 qershorit 2024, qytetarët në të gjithë kontinentin do të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike për të formësuar të ardhmen e Bashkimit Evropian. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian do të jenë një moment i rëndësishëm pasi anëtarët e rinj të Parlamentit Evropian, që tani janë 705 por pritet të shkojnë 720 pas zgjedhjeve, do të luajnë një rol vendimtar në formulimin e politikave, legjislacionit dhe drejtimit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian për vitet e ardhshme, ose të paktën deri në përfundimin e mandatit të tyre në vitin 2029. Megjithatë, skenarët që e presin bllokun më të fuqishëm tregtar në botë, nuk duken aspak optimistë. Dhe për këtë, mjafton që të përmendet emri i Viktor Orban, “problematikut të BE-së”, si një nga emrat potencialë për të zënë një nga postet më me peshë brenda bllokut.
Lëvizja e papritur e Michel
Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, la të kuptohet për disa media belge këtë fundjavë se ai planifikon të kandidojë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në pranverë dhe ky informacion më vonë u konfirmua zyrtarisht për portalin “Politico” nga zëdhënësi i tij. Megjithëse deri më tani nuk ka ndodhur kurrë që një nga zyrtarët kryesorë të BE-së të dëshirojë të jetë në fletëvotim për një pozicion që nënkupton më pak përgjegjësi dhe ekspozim mediatik, sepse politikanët që mbajnë poste kaq të larta zakonisht kanë “oreks” disi më të madh për karrierën “post-evropiane”. Proceduralisht, kjo është një lëvizje legjitime e liberalit belg. Michel nuk ka specifikuar ende nëse ai planifikon të zëvendësojë bashkëkombasin e tij dhe kolegun e partisë, Didier Reynders, në Komisionin Evropian si komisioner i Belgjikës.Ndoshta pika më e diskutueshme e gjithë historisë është fakti se, në rrethana normale, pritet që ai të vazhdojë të mbajë postin e Presidentit të Këshillit Evropian deri në fund të nëntorit, kur një komision i ri do të hynte në skenën e BE-së,si dhe instuticione të tjera njëherazi.
Orban në krye
Duke pasur parasysh se Michel tashmë mund të “lëvizë” në Parlament në mes të korrikut, nëse deri atëherë nuk gjendet zëvendësim, karrigia e presidentit të Këshillit Europian mund të zihet përkohësisht nga lideri i vendit që merr presidencën e BE-së më 1 korrik, kryeministri hungarez Viktor Orban. “Politico” raporton se paniku tashmë ka filluar të përhapet në Bruksel, në mesin e 26 liderëve të BE, pasi ata duan ta parandalojnë me çdo kusht këtë skenar. Brukseli ka gjithnjë e më pak durim dhe tolerancë ndaj “kolumnistëve të pestë” që flirtojnë hapur me Rusinë, Kinën dhe Iranin dhe bllokojnë në mënyrë aktive çdo ndihmë që i dërgohet Ukrainës së sulmuar, ndërsa në shtëpi bëjnë gjithçka që munden për të sabotuar sundimin e ligjit dhe liria e medias. Pikërisht kjo është arsyeja pse marrja edhe e përkohshme e Orbanit e drejtimit të bllokut tregtar më të madh në botë, në kohë të tilla gjeopolitike të paqëndrueshme, është një arsye më se legjitime për shqetësim.Ky skenar ka të ngjarë të shmanget nga të 26 liderët e tjerë të vendeve të BE-së, duke pasur parasysh përshkallëzimin e tensionit mes tyre dhe Orban për mbështetjen për Ukrainën dhe sundimin e ligjit në Hungari, shkruan “Politico”. Jo pak herë hungarezi është konsideruar edhe si “Kali trojan i Rusisë”, brenda Bashkimit Europian.
Kriteret për liderët
Stafi evropian paszgjedhor është një detyrë shumë komplekse dhe mbi të gjitha delikate, që mund të jetë e zgjatur dhe e ndërlikuar. Domethënë, liderët e vendeve evropiane, duhet të kënaqin orekset e të gjitha grupeve në koalicionin qeverisës, ata janë të detyruar të gjejnë një raport të kënaqshëm midis “të voglave” dhe “të mëdhave”. Anëtarët e BE-së në pozitat drejtuese të institucioneve, dhe që nga cikli i fundit intensiv duhet të udhëheqin edhe nga barazia gjinore. Vetëm pasi të merren parasysh këto kritere, duhen kërkuar kandidatë me një rezyme të kënaqshme dhe përvojë politike, pa “skelete në dollap”, që do të rezultonte në afera apo skandale. Nuk është aq e pazakontë që negociatat e paketave të personelit të BE-së të ngjajnë shpesh me konklavat e Vatikanit.