MENU
klinika

Vendimi

Kërkoi masë më të lehtë sigurie, Apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin

26.01.2024 - 18:17

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi arrestin me burg për Fredi Belerin.

Gjykata ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën për ndryshimin e masës për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Beleri është arrestuar prej 12 majit të vitit të kaluar i akuzuar për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit, në të cilat ai mori shumicën e votave në bashkinë e Himarës.

Ai së bashku me qeverinë greke e quajnë arrestimin me prapavijë politike, madje Greqia ka kërcënuar se do vendosë veton për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kujtojmë që lidhur me çështjen e Fredi Belerit, Athina ka marrë një përgjigje të qartë e të prerë nga Komisioni Europian.

Eurodeputetja greke Anna-Michelle Assimakopoulou ka tentuar ta bëjë problem në KE këtë çështje. Në diskutimin e saj, ajo tha se çështja e Fredi Belerit, i cili nuk po lejohet as të betohet si kryebashkiak, është më e madhe se sa grindjet mes dy vendeve.

Por eurodeputetja greke u kundërshtua ashpër nga zyrtari i Lartë i Komisionit Europian, Thomas Hagleitner, i cili tha se çështja “Beleri” është një çështje europiane.

Shefi i Njësisë përgjegjëse për Politikat dhe Strategjinë Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Fqinjësia dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian ka thënë se kjo është një çështje që i takon drejtësisë e ndaj nuk duhet komentuar.

“Kjo çështje i takon drejtësisë, ne nuk komentojmë per çështje që janë në gjykim dhe për këtë çështje mbështesim SPAK-un”, tha Hagleitner.

Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.

Beleri ka bërë disa kërkesa për të dalë nga qelia me qëllim që të betohet dhe të marrë detyrën si kryetar Bashkie të Himarës, mirëpo ato janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjykatave.

Fredi Beleri u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.