Ministria e Mbrojtjes ka lidhur dy kontrata që lidhen me bazën ajrore të Kuçovës.
Në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik u njoftua lidhja e kontratës për procedurën “Ndërtim i infrastrukturës së nevojshme për UAV (hangari dhe mjedise shërbimi)”, në Bazën Ajrore Kuçovë me një vlerë 270 milionë lekë apo rreth 2.6 milionë euro.
Kontrata është nënshkruar me operatorin LLAZO ndërkohë që një tjetër procedurë e lidhur me këtë kontratë është ajo “Mbikëqyrje e punimeve për kontratën/projektin me objekt “Ndërtim i infrastrukturës së nevojshme për UAV (hangari dhe mjedise shërbimi)”, në Bazën Ajrore Kuçovë”” ku fitues është shpallur kompania DERBI-E.
Më herët kjo procedurë u bë pjesë e një ankimimi në Komisionin e Prokurimit Publik i cili i dha miratimin ministrisë që të vijonte me hapat e nevojshme të procedurës pas korrigjimit të rekomanduar që u bë në sistem.
Sipas dokumenteve hangarët e rinj që do të ndërtohen janë objekte të rëndësisë së veçantë.
“Projekti ‘Ndërtim i infrastrukturës së nevojshme për UVA në bazën ajrore, Kuçovë’ është duke u bërë duke pasur parasysh kushtet teknike dhe zbatimin e akteve ligjore të nevojshme për sigurinë.
Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua në vitet 1950 për të pritur avionët e Forcave Ajrore Shqiptare. Kjo bazë u rikthye në vëmendje viteve të fundit me një investim të mbështetur nga NATO ku Shqipëria u anëtarësua në vitin 2009. Në fazën e parë të modernizimit të kësaj baze u llogaritën investime prej 50 milionë eurosh.
Kontributi i palës shqiptare llogaritet në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme. Këtë javë kreu i qeverisë Edi Rama shkroi në rrjetet sociale duke njoftuar se Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë hapet së shpejti./Monitor