MENU
klinika

OBT, apel për reforma të menjëhershme

Ekonomia globale vuan pasojat e luftës dhe pasigurisë

26.02.2024 - 14:17

Drejtoresha e Organizatës Botërore të Tregtisë paralajmëroi se lufta, pasiguria dhe paqëndrueshmëria po rëndojnë ekonominë globale dhe i kërkoi bllokut të përqafojë reformat pasi zgjedhjet në pothuajse gjysmën e popullsisë së botës mund të sjellin sfida të reja.

Drejtoresha e Përgjithshme e OBT-së, Ngozi Okonjo-Iueala lavdëroi punën e organizatës së saj në takimin në Emiratet e Bashkuara Arabe, edhe pse aktualisht po përballet me presionin e Shteteve të Bashkuara dhe kombeve të tjera. Por, ajo ishte e prerë në lidhje me rreziqet, pasi çmimet më të larta për ushqimin, energjinë dhe mallrat e tjera thelbësore po dëmtojnë cilësinë e jetesës së njerëzve, duke nxitur nga ana tjetër zhgënjimin politik. Sipas saj, njerëzit kudo janë të shqetësuar për të ardhmen dhe kjo do të ndihet në kutitë e votimve këtë vit.

Por, asnjë prej proceseve zgjedhor nuk është ndoshta më kritike për OBT-në sesa zgjedhjet presidenciale në SHBA më 5 nëntor.

Kandidon sërish ish-presidenti Donald Trump, i cili kërcënoi se do të tërhiqte SHBA-në nga OBT dhe vendosi në mënyrë të përsëritur taksa mbi mallrat e importuara për miqtë dhe armiqtë e perceptuar. Një fitore e Trump mund të turbullojë përsëri tregtinë globale. Okonjo-Iueala nuk e përmendi Trump-in me emër, por paralajmëroi për sulmet kundër multilateralizmit. Ajo theksoi se sistemi tregtar shumëpalësh, të cilin e quajti një të mirë publike globale që kur u krijua 75 vjet më parë, vazhdon të keqinterpretohet dhe minohet nga disa. Por, edhe nëse presidenti Joe Biden rizgjidhet, Shtetet e Bashkuara kanë rezerva të thella ndaj OBT-së.

SHBA-të gjithashtu e kanë kritikuar Kinën që ende e konsideron veten si një vend në zhvillim, siç bëri kur u bashkua me OBT-në në vitin 2001. Uashingtoni, Europa dhe vende të tjera thonë se Pekini pengon në mënyrë të pahijshme aksesin në industritë në zhvillim dhe vjedh ose ushtron presion ndaj kompanive të huaja për të dorëzuar teknologjinë. Shtetet e Bashkuara thonë gjithashtu se Kina po përhapet me shpejtësi në tregjet botërore me çelik të lirë, alumin dhe produkte të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"The Economist": Një motor i ri ekonomik!

A do të mundet India ‘të rrëzojë’ Kinën nga froni?

Inflacioni dhe gjeopolitika, një përzierje toksike

A është bota në prag të një dekade tjetër të humbur?