MENU
klinika

4500 struktura informale po presin pushues

Gjobë kush nuk deklaron numrin e vizitorëve

29.02.2024 - 18:39

Nga dhomat e thjeshta deri tek vilat që akomodojnë pushues përmes AirBNB apo Booking dhe nuk kanë një licencë, do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndryshimet e propozuara në ligjin për Turizmin u prezantuan në Komisionin e Veprimtarisë nga zëvendësministrja Vilma Bello, e cila shtojë se synohet formalizimi i sektorit.

“Në projektligj synohet saktësimi dhe parashikimi i masave administrative për të gjitha veprimtaritë turistike. Rishikimi i këtij ligji ka ardhur si rezultat i evidentimit të një sërë problematikash, që janë operimi si struktura akomoduese në mënyrë informale i dhomave, apartamenteve, apo vilave, duke cenuar konkurrencën me subjektet formale por edhe cilësinë së shërbimit”, u shpreh Bello.

Pas regjistrimit këto struktura duhet të aplikojnë për të marrë certifikatën e kategorizimit, në të kundërt gjobiten nga 20 mijë lekë deri në 400 mijë lekë në varësi të numrit të dhomave. Zëvendësministrja e Turizmit, dha në komision shifra mbi numrin e strukturave që ushtrojnë aktivitetin në paligjshmëri.

“Ne e kemi një informacion të tillë, si struktura në total aktualisht janë 4556, nga të cilat në Tiranë janë 1294 dhe këto janë të paformalizuar. Nga të dhënat që vijnë nga AirBNB, janë 3000 apartamente të pa certifikuara dhe standardizuara. Ndërsa si struktura të kategorizuara janë 1500”, tha zëvendësministrja e Turizmit.

Në projektligj parashikohet edhe regjistrimi elektronik i klientëve me të dhënat mbi, netët e qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, me synim pasjen e një panorame të plotë mbi turizmin në vend. Kur të dhënat deklarohen të pasakta subjekti gjobitet me 100 mijë lekë, ndërsa gjoba është 150 mijë lekë kur nuk deklarohet numri i saktë i pushuesve.

Këto ndryshime pritet të ulin informalitetin në sektor, pasi nga 10.1 milionë të huaj që erdhën në vend, në strukturat akomoduese të regjistruara fjetën sipas shifrave vetëm 1.4 milionë të huaj. Aktualisht ministria e Turizmit ka nisur diskutimet për strategjinë e re të turizmit deri në 2030, ku në fokus do të jetë turisti elitar dhe jo rritja e shifrave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si do të zgjidhet mungesa e punëtorëve?

“Çmimet do jenë më të shtrenjta në 2024”


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!