Ndizen tensionet mes Kroacisë dhe Serbisë. Dy ditë më parë banorët e Kastelit, në Kroaci mbajtën karnavalin e tyre të 211-të Donjokastelan, ku në fund u panë të digjeshin dordolecët e improvizuar si personazhet e Don Kishotit dhe Sanço Panços me fytyrat e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Presidentit rus, Vladimir Putin. Ky veprim nuk është pritur mirë nga Serbia. Presidenti Serb, Aleksandër Vuçiç, teksa ka marrë dje pjesë në prezantimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake të ushtrisë serbe në Nish, komentuar ngjarjen në Kastela duke thënë se po ta bënin serbët këtë veprim, do u ishte kthyer e gjithë Europa. “Është tradicionale që të digjen. Unë nuk do të ankohem për këtë. Po ta kishim bërë ne, Zoti na ruajt, do të na ishte kthyer gjithë Europa, këto janë standardet tuaja të dyfishta, asgjë e veçantë. Kur e di që ma kanë djegur shtëpinë, është e vogël që i kanë vënë flakën edhe kukullës! I uroj suksese, gjithçka që mund të bëjnë është të djegin kukulla. Lërini, le t’i djegin kukullat, le të luajnë”, tha Vuçiç. Ai thotë se “kur e dimë se kanë djegur shtëpi dhe një kishë, çfarë të keqe ka të digjni një kukull”.
Reagon Dadiç
Së bashku me presidentin serb, karnavalet në Kastela i ka komentuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç i cili dënoi djegien e figurës së presidentit serb në karnaval dhe i dërgoi një notë proteste Ambasadës së Republikës së Kroacisë në Beograd. “E dënoj fuqishëm incidentin që ndodhi më 13 shkurt 2024, gjatë procesit tradicional të karnavaleve, në fshatin Kastel në Republikën e Kroacisë”, tha Daçiç. Sipas tij, djegia e një kukulle me fytyrën e presidentit të Serbisë është një akt absolutisht i papranueshëm, i cili është në kundërshtim të plotë me përkushtimin e shprehur bashkërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe përmirësimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes dy vendeve. “Ky akt skandaloz i përhapjes së urrejtjes dërgon një mesazh që në asnjë mënyrë nuk kontribuon në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe dëmton drejtpërdrejt dhe seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Daçiç.
Tensionet Kroaci-Serbi
Kujtojmë se para pak javësh Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë ka nisur procesin e rindërtimit të kazermave në “Beli Manastir” në Baranja, afër kufirit me Serbinë, me qëllim vendosjen e pajisjeve luftarake M2A1 ODS “Bradley”. Kontingjenti i parë prej 22 automjetesh ka arritur nga SHBA-ja në portin e Rijekës, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Sipas informacioneve nga Rrjeti Ballkanik i Sigurisë, batalioni i mekanizuar “Falcons” nga Nashica do të zhvendoset në “Beli Manastir”, duke zëvendësuar në të ardhmen e afërt mjetin luftarak të këmbësorisë M-80A të prodhimit jugosllav me automjete amerikane M2A1 ODS “Bradley”. Zëvendëskryeministri kroat dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, deklaroi para Kuvendit më 15 janar se tashmë ka nisur projekti për kthimin e ushtrisë në Baranja. Në fund të vitit 2026 është planifikuar të përfundojë rinovimi i kazermës në “Beli Manastir”, ku do të vendosen nga 650 deri në 850 pjesëtarë të batalionit elitar “Skifterat”. Vendimi për zhvendosjen e batalionit u “arsyetua me shkaqe sigurie”, me theks të veçantë në mbrojtjen e kufirit nga kërcënimi i migrimit. Në vendim luajnë rol edhe arsyet demografike, me qëllim mbajtjen e popullsisë në Baranjë. Prezenca e ushtrisë pritet të përmirësojë situatën ekonomike të zonës. Edhe pse motivet politike janë më pak të theksuara në publik, është e rëndësishme të theksohet se Baranja ishte një temë e ndjeshme gjatë luftës së vitit 1991. Njësitë e JNA-së më pas i shtynë forcat kroate në bregun e djathtë të Dravës. Pas zgjidhjes politike ndërmjet Serbisë dhe Zagrebit, Baranja u kthye në Kroaci nga procesi i riintegrimit paqësor deri në vitin 1997. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë së paraluftës nga viti 1991, “Beli Manastir” kishte 10.146 banorë, ndërsa në regjistrimin e vitit 2021 ky numër u reduktua në 7.973. Ndryshimet në përbërjen etnike janë gjithashtu të dukshme, me rritje të përqindjes së kroatëve dhe rënie të përqindjes së serbëve.