MENU
klinika

Analiza

Pse Rusia nuk i rrëzon dot vetë tiranët e saj?

21.02.2024 - 17:14

Vdekja e figurës më të njohur të opozitës rus e Alexei Navalny në një burg të largët në Arktik, ka shkaktuar shumë reagime emocionale. Përmasat e kësaj ngjarjeje, janë kaq të mëdha saqë na duhet që vdekjen e tij ta analizojmë brenda peizazhit më të gjerë të epokës politike në të cilën jetoi.

Së pari, janë bërë shumë të dukshme manovrat strategjike brutale të Vladimir Putinit. Sa herë që shfaqet një pengesë apo kundërshtar në rrugën e udhëheqësit rus, shpaloset një model: taktikat e frikësimit i paraprijnë kërcënimeve të vërteta, që pasohen nga një periudhë “rishqyrtimi”, që në fund kulmon në një goditje vendimtare.

Në këtë kontekst, fati i Navalny-t pasqyron atë të Ukrainës: një sekuencë paralajmërimesh (një ndëshkim i mbajtur pezull/aneksimi i Krimesë), përshkallëzim i tensioneve (arrestime/hyrje në Donbass në vitin 2014), një qetësi e përkohshme (leja për të marrë pjesë në zgjedhje/nënshkrimi i Marrëveshjeve të Minskut), që çoi në përpjekjen e pacipë për të vrarë Navalny-n dhe në fund ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake në Ukrainë.

Para akteve fatale, Navalny-t iu ofrua e drejta e mërgimit jashtë vendit në vitin 2020, pasi i mbijetoi një atentati të FSB-së. Edhe Ukrainës iu paraqit një plan paqeje në prillin e vitit  2022. Por në të dyja rastet, Putin mbeti i vendosur në kursin e tij të veprimit.

Për mendimin tim, thelbi i një strategjie të tillë, qëndron në largimin e vëmendjes së publikut nga objektivi. Gjatë viteve 2011-2013, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën nëpër rrugët dhe sheshet e vendit në mbështetje të Navalny-t. Por pas atij që rezultoi të ishte arrestimi i tij i fundit në vitin 2021, në rrugë dolën vetëm disa mijëra.

Akoma më pak zgjodhën të vendosnin lule në shenjë homazhi pas njoftimit për vdekjen e tij. Në vitin 2022, pati një ndjenjë se bota e kishte njohur më në fund kërcënimin e Putinizmit, dhe se ishte gati të vepronte me vendosmëri kundër agresorit.

Megjithatë, në Konferencën e Sigurisë të Mynihut të këtij viti, një samit i “njollosur” nga vdekja e Navalny, qarkulloi një raport që tregon se edhe në Evropë, Rusia nuk perceptohet më si kërcënimi kryesor për paqen. Është e pamohueshme se taktikat e Putinit po japin rezultate.

Popullsia ruse po frikësohet gjithnjë e më shumë, duke humbur çdo lloj shprese për të ardhmen. Gjatë një çerek shekulli në pushtet, Putin ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm (edhe pse sigurisht që nuk është i admirueshëm): duke e shtypur popullin e tij.

Fillimisht, reformat e tij liberale i rritën standardet e jetesës dhe e “borgjezuan” një pjesë të konsiderueshme të klasës së mesme urbane, e cila në atë kohë kishte simpati ndaj vlerave perëndimore.

Këta njerëz grumbulluan pasuri, fituan prona dhe blenë shtëpi dhe makina me kredi, duke u bërë në thelb robër të prosperitetit të tyre. Ata u distancuan ndjeshëm nga atmosfera më e lirë që gëzonin qytetarët sovjetikë gjatë Perestrojkës. Tani ligji famëkeq i konfiskimit të pasurive, do të nënvizojë se sa shumë shqetësimet materiale i mposhtin aspiratat idealiste, duke i mbyllur gojën miliona njerëzve.

Pastaj erdhi lufta e Putinit me Ukrainën. Edhe pse jo menjëherë, ajo e vendosi shpejt Rusinë kundër Perëndimit, duke penguar çdo “strategji daljeje” për rusët që kishin kërkuar të iknin diku në Evropë. Vizat turistike po refuzoheshin, kufijtë po mbylleshin dhe atyre po u hiqej shtetësia për shkak të sanksioneve.

Emigrimi përmes azilit politik, është bërë kaq shumë i ndërlikuar saqë rrallëherë ndiqet si rrugë. Në thelb, nuk ishte vetë Putini, por kundërshtarët e tij perëndimorë, të cilët padashur ngritën një “Perde të Hekurt”, të cilën tani Kremlini po e shfrytëzon në avantazhin e tij.

Ndërsa mori formë “infrastruktura” për frikësimin, autoritetet nisën të ndjekin penalisht kundërshtarët politikë, megjithëse në fillim në një mënyrë të kufizuar. Sipas OVD-Info, që nga viti 2012 Rusia ka hapur 3.600 padi penale të motivuara politikisht.

Për më tepër, nga marsi vitit 2022 deri në tetor 2023, janë hapur rreth 8.000 çështje administrative me akuzën e “diskreditimit” të ushtrisë ruse. Pavarësisht dënimeve gjithnjë e më të rënda për “krime”, kjo qasje e arrin efektin e dëshiruar: shoqëria bie në gjumë.

Alexei Navalny u përpoq pa u lodhur që të zgjonte rusët nga përgjumja. Megjithatë synimi i tij ishte të njolloste reputacionin e qeverisë, i mishëruar në termin “partia e hajdutëve” të përdorur edhe nga figurat thuajse opozitare në Dumën e Shtetit për t’iu referuar partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”.

Qëllimi i tij ishte të hidhte bazat për largimin e klikës aktuale të Kremlinit përmes zgjedhjeve. Ndërsa kjo kishte njëfarë potenciali në vitin 2012, u bë më pak e realizueshme në vitet 2020. Sipas meje, kjo ndodhi për shkak të dy faktorëve kryesorë.

Së pari, një shumicë opozitare në Rusi nuk ka gjasa të bashkohet pa miratimin e autoriteteve, siç ndodhi gjatë epokës së Mikhail Gorbachev. Së dyti, ndryshimi i pushtetit nëpërmjet lëvizjeve masive dhe zgjedhjeve kërkon një përçarje brenda elitës (siç ndodhi para rënies së Bashkimit Sovjetik me shfaqjen e Boris Yeltsin, por edhe në Afrikën e Jugut kur Nelson Mandela u lirua nga burgu pa përfshirje e De Klerk).

Por Navalny zgjodhi që ta damkosë të gjithë udhëheqjen ruse, pa kërkuar aleatë të brendshëm. Për më tepër, vënia në shënjestër e korrupsionit si çështja kryesore, mund të mos ketë qenë efektive, pasi ky fenomen është i shumë-përhapur në shoqërinë ruse, shpeshherë duke e lehtësuar dhe jo duke penguar jetën e përditshme.

Pallatet e pasura të sundimtarëve shiheshin si një normë. Megjithatë, arritja kryesore e Navalny ishte kultivimi tek rusët i idesë së padrejtësisë në Rusi, dhe kujtimi për të drejtën e tyre të votës. Mjerisht, thirrjet e tij ranë në vesh të shurdhër.

Ngjarjet pas vdekjes së Navalny-t, ngrenë padyshim pikëpyetje mbi perspektivat e opozitës ruse, lider i së cilës ishte për të paktën një dekadë vetë i ndjeri (edhe pse në fillim bashkë-drejtoi me Boris Nemtsov). Dhe këto perspektiva nuk më duken shumë premtuese. Kolegëve të Navalny-t nga Fondacioni Kundër Korrupsionit u mungon karizma dhe vizioni i tij, duke shërbyer vitet e fundit si “grupi mbështetës”. Ndërkohë, mbështetësit e politikanit, duke filluar nga viti 2020, janë detyruar që të largohen nga Rusia ose janë burgosur, duke u zhdukur gradualisht nga jeta publike.

Pa një udhëheqës si Navalny, dhe sidomos për dikë që nuk është larguar nga Rusia apo nuk lëngon në burgjet e Putinit, rëndësia politike e organizatës së të ndjerit Navalny kishte rënë ndjeshëm. Shtojini kësaj realitetin që deri në fund të vitit të dytë të luftës në Ukrainë, një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të emigrantëve rusë ishte transformuar në mënyrë të pakthyeshme nga opozita ruse në një grup mbështetës për Ukrainën, duke u distancuar nga agjendat e brendshme dhe duke u fokusuar në mbledhjen e fondeve për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Unë nuk e përjashtoj mundësin që tani ndikimin më të madh mund ta kenë disidentët.

Por në sytë e shumicës së rusëve (jo vetëm “mbështetësit e Putinit”, por edhe banorët e zakonshëm të rajoneve në kufi me Ukrainën), kjo i bën ata tradhtarë, duke e bërë të pamundur çdo dialog me ta.

Për mendimin tim, Alexei Navalny ishte politikani i fundit i madh i opozitës që mbeti në Rusi, por nuk e kushtëzoi të ardhmen e tij me sukseset e ushtrisë ukrainase. Prandaj vdekja e Navalny-t përbën një humbje shumë të rëndë për forcat anti-Putin, pasojat negative të së cilës do t’i shohim shumë shpejt.

Në fund, do të doja të theksoja se ngjarjet e fundit – dhe këtu kam parasysh më shumë se sa vetëm vdekjen e Alexei Navalny – nënkuptojnë një moment historik në trajektoren e Rusisë moderne. Ato vetëm sa nënvizojnë realitetin, se vendi ynë nuk mund të çlirohet vetë nga një tiran i çmendur si Putin. Rusia ka funksionuar gjithmonë si një perandori , duke mos përqafuar asnjëherë plotësisht konceptin e një shteti-komb. Aparati i saj autoritar, është mbështetur historikisht tek burimet natyrore dhe te zgjuarsia dhe puna e njerëzve të tij.

Për më tepër, koncepti i ‘veçantisë ruse’, ka rrënjë të thella në psikikën kombëtare dhe për shekuj me radhë. Edhe historia e viteve të fundit, ka treguar se këto besime të rrënjosura vazhdojnë që të diktojnë zhvillimet në vend.

Historiani i vjetër Alexander Yanov, e ka krahasuar regjimin aktual me “Rusinë e Vajmarit”. Dhe nëse ai ka deri diku të drejtë, atëherë rruga e Rusisë drejt përtëritjes duket se kërkon marrjen e masave radikale. Por sfida ka të bëjë me faktin se Perëndimit i mungon si vendosmëria për t’u përballur me Putinizmin, po ashtu edhe një strategji kohezive për integrimin e Rusisë në gjirin e saj. Procesi që dikur e transformoi Gjermaninë e Vajmarit në shtetin modern që është sot, nuk duket se është i zbatueshëm për Rusinë në formën e saj aktuale.

Shënim: Vladislav Inozemtsev, themelues dhe drejtor shkencor i Qendrës për Studime të Shoqërisë Post- Industriale në Moskë.