MENU
klinika

"Ministria e Bujqësisë të marrë masa!"

Fermerët e Fierit dalin në protestë, hedhin poshtë produktet

30.03.2024 - 12:59

Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, ata janë bërë bashkë, pasi i gjithë investimi po u shkon dëm.

Çmimi i ulët i luleshtrydhes ka ngritur këtë të shtunë në mëngjes dhjetëra fermerë në protestë.

Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, ata janë bërë bashkë, pasi i gjithë investimi po u shkon dëm. Ata pohojnë se për kultivuesit e luleshtrydhes, ky është viti më i keq pasi kurrë me parë nuk ka ndodhur që në këtë periudhe të vitit, çmimi të arrije deri në 50 lekë për kilogram.

Përballë kësaj situate, fermerët kanë kundërshtuar fuqishëm dhe politikat e pikave të grumbullimit, të cilat sipas tyre po e vendosin çmimin sipas dëshirës teksa apelojnë njëzëri për të gjitha institucionet përgjegjëse që t’u vijnë në ndihmë në këtë situatë të vështirë që po i çon drejt falimentimit.

Teksa kanë bllokuar rrugën dhe kanë hedhur poshtë produktet e tyre, fermerët kanë kërkuar që Ministria e Bujqësisë të ngrejë një komision për të verifikuar pesticidet që shiten në treg dhe nëse nuk plotësojnë kriteret, të asgjësohen.

Na thonë hajdeni investoni, erdha nga emigrimi, tani çfarë të bëj, të marr familjen të iki prap në emigrim, jemi të braktisur. Në Itali e shesin më 8 euro kilogrami, këtu me 400 lekë të vjetra”, u shpreh një fermer.

Edhe pse kemi luleshtrydhe bio, sa herë që duhet të çojmë jashtë, se ne kemi çuar tek Lidl, në Itali, dhe ata përsëri tek malli ynë dyshojnë, ne duam ose të na japin një drejtim, se duan mall pa mbetje, ne kemi 13.5 hektare pa mbetje, por në fund nuk trajtohemi. Ne themi se kemi mall të pastër, lë të vije kush të dojë, të bëj analizat. Për mendimin tim, këtu nuk ka një mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, çdo ditë na dalin mostrat të pastra. Në Shqipëri ka pesticide që në BE kanë dalë nga qarkullimi, se si qarkullojnë këtë ta gjejë ata që janë kompetentë”, tha fermeri Dritan Goga.

Po tallen me djersën tonë, edhe preparatet që përdorim ne vijnë nga Gjermania, tani na thonë që del më pesticide. Është lojë e këtyre për ta shitur me shumë jashtë dhe na bllokojnë tregun vendas. Ne kemi shumë shpenzime, që nga fidani, është 11 muaj punë, presim këto 10 ditë që të vjelim dhe e kanë çuar me 400 lekë të vjetra Kg. Kam investuar nga xhepi im 30 milion lekë. Vjet ka qenë 11 mije lekë të vjetra. Unë jam minus, ambalazhi kushton. Shteti të vërë dorë në këta banditë që grumbullojnë mallin, e çojnë jashtë sa u intereson atyre”, u shpreh një tjetër prej fermerëve.