Gjykata e Lartë ka vendosur që “21 janari” t’i kalojë SPAK.
Gjykata e Lartë i ka kaluar SPAK kompetencën për të hetuar dosjen e ‘21 janarit’. Po ashtu Gjykata e Lartë i ka kërkuar SPAK të regjistrojë procedim penal për Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin.
Gjykata e Lartë e quajti jo të drejtë vendimin e SPAK për të mos nisur procedimin penal.
“SPAK duhej të regjistronte procedimin dhe duhej të ishte kthyer përgjigje nëse kemi elemente të veprës penale apo jo” argumentuan gjyqtarët.
Tani SPAK duhet të regjistrojë procedimin penal që familja kërkon të bëjë ndaj Sali Berishës i cili në 2011 ka qenë në krye të qeverisë, Lulzim Bashën në krye të ministrisë së Brendshme dhe Komandantin e Gardës së asaj kohe.
Kemi të bëjmë me një krim shtetëror. “Padisim gjithë zinxhirin nga Sali Berisha tek më i vogli” tha e veja e Aleks Nikës.
Seanca
Në orën 14:11 me trupin gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni u tërhoq për vendim pasi në seancë dëgjuan pretendimet e palëve lidhur me kërkesën e familjes së Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011. Familja kërkon shfuqizimin e vendimeve të mëparshme dhe ripahjen e hetimit për vrasjen e ndodhur në mes të ditës para kryeministrisë.
Shqyrtimi në seancë zgjati 1 orë pastaj palët u tërhoqën për vendim
Në Gjykatën e Lartë janë të pranishëm dhe xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika dhe e veja, Rajmonda Nika. SPAK përfaqësohet nga Prokurori Alfred Shehu. Po ashtu në Gjykatën e Lartë kanë mbërritur edhe dy vëllezërit e Hekuran Dedës, i vrarë në protestën e 21 janarit.
Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.