MENU
klinika

"Rusia do të sulmojë NATO-n"

Kreu i ushtrisë gjermane jep alarmin: Kemi kohë 5-8 vjet për sigurimin e raketave

22.03.2024 - 14:14

Kreu i forcave të armatosura gjermane, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer, kërkoi zhvillimin e shpejtë të një mburoje raketore për Gjermaninë për t’u përballur me kërcënimet e mundshme nga Rusia.

“Ne kemi pesë deri në tetë vjet. Brenda kësaj periudhe ne duhet të instalojmë një sistem të mbrojtjes raketore. Nuk ka alternativë”, tha gjenerali Breuer për gazetat e grupit mediatik Funke Mediengruppe sot.

“Ne besojmë se Rusia do të jetë e aftë të bëjë luftë kundër vendeve të NATO-s brenda një periudhe prej pesë deri në tetë vjet. Deri atëherë, ne në Gjermani gjithashtu duhet të jemi në gjendje të zmbrapsim një sulm të tillë”, theksoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk i fsheh synimet e tij ndaj Perëndimit, tha gjenerali Breuer, duke shtuar megjithatë se një sulm ndaj një vendi perëndimor është aktualisht skenari më i keq. Megjithatë ai mund të ndodhë në të gjithë spektrin – nga sulmet kibernetike te dronët dhe raketat.

Ai hodhi poshtë deklaratat në Gjermani të zyrtarëve që bënin thirrje që të lejohet ngrirja e konfliktit në Ukrainë.

“Ngrirja e një lufte kërkon që ajo të pranohet nga të dyja palët. Nuk ka një konflikt të ngrirë në botë që të mos jetë rindezur”, tha Breuer.

“Situata aktuale ushtarake në Ukrainë bën që një ngrirje e luftës të mos duket as e mundshme dhe as e dëshirueshme”, shtoi ai.

Kujtohet se qeveria gjermane ka krijuar një fond special prej 100 miliardë euro për të përmirësuar Bundeswehr-in, forcat e armatosura gjermane.Sipas gjeneralit Breuer, 80% e fondeve tani janë ndarë dhe ndarja e tyre do të përfundojë deri në fund të vitit, por me vonesa të mundshme në prokurim.

“Shumica e pajisjeve është porositur, por ende nuk ka arritur te trupat në masën që unë do të doja”, tha Breuer, i cili i konsideron këto 100 miliardë euro si financim fillestar. Buxheti i mbrojtjes duhet të mbetet në 2% të prodhimit ekonomik në terma afatgjatë.