MENU
klinika

"Ka në dorë të ardhmen e marrëdhënieve"

Mitsotakis presion Gjykatës së Apelit për Belerin

18.03.2024 - 10:47

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ende shpreson në një reflektim të autoriteteve shqiptare, për të lejuar Fredi Belerin, i votuar si kryebashkiak i Himarës, të betohet në detyrë. Në një intervistë për televizionin SKAI, Mitsotakis tha se mënyra se si Shqipëria e trajtoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet greko-shqiptare.

“Ne kemi folur në vijimësi për çështjen Beleri. Ne kemi shprehur rezervat tona të forta, jo vetëm për faktin se Fredi Belerit nuk i është dhënë mundësia që të betohet gjatë kohës që ishte në paraburgim. Ende nuk ka vendim përfundimtar, ka vetëm një vendim të gjykatës së shkallës së parë. Ne do të vazhdojmë të ngulmojmë për një proces të drejtë gjyqësor. Më vjen keq ta them, është e ditur se mënyra se si Shqipëria e trajtoi këtë çështje ka ndikuar jo për mirë në marrëdhëniet greko-shqiptare”, ka thënë Mitsotakis.

Mitsotakis tha se ende shpreson që çështja të zgjidhet. Ndër të tjera në intervistë ai thotë edhe se Beleri mund të jetë kandidat i Mitsotakis për eurodeputet në zgjedhjet europiane të qershorit.

Mbështetësit e këtij skenari besojnë se një kandidim i mundshëm i Belerit do t’i japë pikë të rëndësishme në elektorat qeverisë greke, duke ushqyer ndjenjën e shumicës së madhe të qytetarëve grekë që e konsiderojnë si të padrejtë burgosjen e tij.

Pikë referimi për çdo zhvillim do të jetë vendimi i të martës se javës së ardhshme i Apelit të Gjykatës së Posaçme pasi shkalla e parë dha dënimin ndaj Belerit me dy vite burg.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çështja Beleri dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

‘Shkrihen akujt’/ Rama takim me Mitsotakis në Vilnius

Ministri i Jashtëm Nikos Dendias telefonon Ramën

Arrestimi i Fredi Belerit “alarmon” edhe kryeministrin grek