MENU
klinika

Deputeti Bujar Çela pritet të merret në pyetje

Ngjarja tragjike në Lushnje, nisin hetimet për tre akuza

04.03.2024 - 11:11

Kur kanë kaluar tri ditë nga ngjarja e rëndë që tronditi mbarë vendin dhe opinionin publik, prokuroria ende nuk ka dalë në një konkluzion për ngjarjen.

Ndonëse humbën jetën dy persona dhe u plagosën 7 të tjerë, prokuroria nuk ka nxjerrë motivin që solli shpërthimin, që rrezikoi jetën e dhjetëra personave të tjerë, përveç babë e bir që ndërruan jetë, teksa gjendeshin në vinçin që po dërgonte në katet e larta të godinës në ndërtim bombola oksigjeni.

Shpërthimi i fuqishëm i ndodhur në ambientet e një magazine në Lushnjë ka sjellë nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Fierit. Hetimet janë duke u kryer në tri drejtime të ndryshme, si “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Shkeljes së kondicioneve Urbanistike” pasi subjekti kishte dalë nga konturet e lejes së ndërtimit të miratuar nga Bashkia Lushnjë dhe “Shkatërrim i pronës nga pakujdesia”.

Prokurorët kanë urdhëruar kryerjen e disa ekspertizave për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërsa nga ana e policisë ditën e djeshme janë referuar materialet organit të akuzës. Në pyetje pritet të merren dhe personat e plagosur, përfshirë dhe deputeti i Partisë Socialiste në Lushnjë, Bujar Çela.

Dy të vdekur e 7 të plagosur, është bilanci i shpërthimit të fuqishëm pasditen e 1 marsit në magazinën në ndërtim, që thuhet se është në pronësi të deputetit Bujar Çela brenda zonës industriale në Lushnjë. Babë e bir, Roland, 51 vjeç dhe Elidon Hoxha 23 vjeç, që punonin me vinçin e tyre humbën jetën pas shpërthimit të një bombole oksigjeni që po transportonin për në katet e sipërme.