Profesori i kriminalistikes Ervin Karamuço, në një intervistë në “News Line” në ABC News foli për dhunën e shkaktuar nga rrjetet sociale. Një fenomen shumë i përhapur kohët e fundit duke u kthyer në një shqetësim për vetë faktin se shumë raste kanë agravuar deri në rrezikimin e jetës.
Karamuço solli në vëmendje edhe një tjetër fenomen që sipas tij është përhapur në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se gjatë muajit të Ramazanit është rritur bullzimi ndaj fesë.
“Rastet janë edhe më shumë por aq marrin guximin për të bërë denoncime. Tani mendojnë që kanë një liri për të bërë gjithçka. Këtu kemi faj edhe ne, institucionet pasi ky trend ka evoluar shumë shpejt dhe ende nuk kemi marrë masa me një disiplinim që do të shpëtonin jetë njerëzish dhe nga njëherë cënim të imazhit apo dëme ekzistenciale që shkaktohen. Janë trende që nuk vihen re vetëm në Shqipëri, jo. Kjo vihet re në të gjithë Europën. Në diskutimin që është bërë sot në Kongresin Amerikan flitet të bllokohet gjithçka për moshën 14 vjeç, por edhe për moshën 16 vjeç po diskutohet. Pra ne duhet ta marrim më shumë seriozitet pasi kemi shumë ngjarje që kanë kaluar në vrasje, dhunime fizike, përndjekje, shantazhe. Duhet të ndërgjegjësojmë edhe moshat që janë pak më të rritur që të jenë vëzhgues dhe denoncues. Sidomos tani në këtë muaj në Maqedoninë e Veriut ka një shifër në rritje, bullizohen fetë e tjera përse nuk respektojnë muajin e Ramazanit dhe këto shkojnë shumë më lart”, u shpreh Karamuço.
Nga ana e tij eksperti i IT, Tomi Kallanxhi, ndërsa foli për këtë fenomen bëri thirrje për ndërgjegjësim të të rinjve, pasi numri i abuzimeve nga adoleshentët në platformat “online” është në rritje.
“Shumica e të rinjve krijojnë konflikte ‘për t’u futur personazhe’. Dhe sa më i lartë të jetë presioni aq më i lartë është edhe mbështetja. Sa i përket diskutimeve në Kongresin Amerikan, është e vërtetë që po shqyrtohen të gjitha mundësitë. Është një diskutim i madh që po bëhet në Amerikë. Ndërsa Italia ka bërë një gjetje interesante duke bashkëpunuar me prindërit për të mbajtur nën vëzhgim faqe të ndryshme. Por situata sa vjen bëhet e vështirë, por mendoj që vëmendje duhet të marrin edhe familjarët, të trajnohen. Pra të shihen se në çfarë faqesh futen, kujt i bëjnë like…”, tha ndër të tjera ai.
Gjithashtu ai theksoi se ka ardhur momenti që të kemi një autoritet për median digjitale.
“Momenti që të kemi një autoritet për median digjitale siç kemi AMA-n. Pra të mos futen në burg për të vendosen gjoba. Gjithashtu t’i shtyjmë qytetarët edhe që të denoncojnë.”, tha ai.