“Duke vrarë Alexei-n, Putin vrau gjysmën time, gjysmën e zemrës dhe gjysmën e shpirtit tim. Por unë kam ende gjysmën tjetër, dhe ajo më thotë se nuk kam të drejtë të heq dorë nga beteja e tij”.
Kjo deklaratë e fortë dashurie, më e bukura që Yulia Navalnaya i bëri bashkëshortit të saj, në momentin kur zuri për herë të parë vendin e tij në kanalin Youtube, është premtimi i hakmarrjes, “certifikata e lindjes” së armikut të ri e më të madh publik të Vladimir Putinit.
Ka një arsye pse Yulia Navalnaya nuk qau. Ajo u shpreh kështu kur Alexei u arrestua në vitin 2013:“Këta bastardë nuk do t’i shohin dot lotët tanë!”. Kur doli në një nga podiumet e Konferencës së Sigurisë në Mynih – duke shpresuar ende që lajmi për vdekjen e bashkëshortit të ishte thjesht një gënjeshtër – Yulia imponoi qetësi dhe seriozitet, me kostumin e saj një dekolte me të gjerë dhe me buzëkuqin që kontrastonte me flokët e saj ngjyrë platini.
“Siç e dini prej vitesh, ne nuk mund t’i besojmë asaj që thotë Putin. Ai gënjen gjithmonë. Por nëse ky lajm është i vërtetë, dua që Putini ta dijë, se për atë që i kanë bërë vendit tonë, për çfarë i kanë shkaktuar familjes sime, për atë që i bënë bashkëshortit tim:Dita e gjykimit do të vijë shumë shpejt”-deklaroi ajo.
Nëse Alexei ishte gjysma e Yulia-s, edhe Yulia ishte gjysma tjetër e Navalny-t, madje ajo “më radikale” siç u shpreh vetë ai në një rast. Këshilltarja e parë politike, mikesha e tij parë, personi i shpëtoi jetën kur u helmua në vitin 2020:“E di që më shumë se doktorët dhe shkenca, është dashuria ajo që të shëron. Faleminderit Yulia!”.
Siç e pranoi në një intervistë të rrallë për revistën “Harper’s Baazar“ në vitin 2021, ajo i kishte dhënë vetes një tjetër rol:“Detyra ime është të siguroj që të mos ndryshojë asgjë në familjen tonë:që fëmijët të jenë fëmijë, dhe që shtëpia të mbetet shtëpi”.
Por tashmë ajo ishte në gjendje ta përballonte skenën, si një aktore e thirrur për të zëvendësuar protagonistin. Në vitin 2020 shkoi me nxitim në Omsk kur Alexei u helmua me Novichok dhe përfundoi në gjendje kome për 18 ditë, dhe nga spitali tha me qetësi:“Ne kërkojmë daljen e menjëhershme të Alexeit, pasi në këtë spital ka më shumë policë dhe agjentë sekret të qeverisë sesa mjekë”. Dhe me ndihmën e Angela Merkelit e çoi në Berlin, ku u shërua nga mjekët Spitalit Charité.
Yulia dhe Alexei u njohën në një plazh në Turqi. Ishte viti 1998, që të dy ishin 21 vjeç, dhe u martuan 2 vjet më vonë. Ajo ishte diplomuar për marrëdhënie ndërkombëtare dhe punonte në një bankë të madhe, ndërsa ai ishte avokat.
Kur lindi Daria në vitin 2001, Yulia e la punën e saj. Në vitin 2008 lindi djali, Zakhar, me të cilin jeton sot në Gjermani. Masha Gessen, intelektualja moskovite-njujorkeze me origjinë hebraike, e cila na e ka shpjeguar më së miri psikologjinë e Vladimir Putinit ne perëndimorëve, e përshkroi kështu çiftin në një artikull për New Yorker: ”Zëri publik i Navalny ishte plot ironi, por jo cinik. Gjatë investigimeve të tij ai pa burra qesharakë me jahte të mëdhenj me ego të vogla dhe shije çuditërisht të këqija. Ai e mori seriozisht abuzimin e tyre me fondet shtetërore, duke i demaskuar publikisht.
Këtu qëndronte edhe gjysma e karizmës së tij. Gjysma tjetër ishte historia e tij e dashurisë. Më shumë se çdo gjë në botë, dukej se Alexei donte t’i bënte përshtypje Yulia-s. I izoluar në sallën e gjyqit, ai bëri duart në formën e një zemre drejtuar asaj”.
Shumë studiues rusë e përsërisin këtë tezë. Yevgenia Albart, e cila jep mësim në Universitetin e Harvardit, tha në një telefonatë për gazetarët: “Politikani Navalny ishte gjithmonë dy njerëz:Yulia dhe Alexei”. Historiani Mikhail Zygar i përshkruan ata si një “çift hollivudian”, dhe pretendon se Yulia ishte gjithmonë në gjendje të reagonte publikisht ndaj sulmeve ndaj burrit të saj.
“Krahasuar me të, ajo ka më pak karizëm, por nga ana tjetër një bagazh ideologjik më pak të rëndë”, dhe prandaj mund të ketë sukses aty ku të gjithë të tjerët kanë dështuar:ta ribashkojë opozitën ruse në mërgim. Ashtu si Uma Thurman në filmin “Kill Bill”, Yulia u kërkoi të gjithëve “të ndajnë zemërimin e saj”, të kenë më shumë “më tepër inat, më shumë urrejtje ndaj atyre që guxojnë të vrasin të ardhmen tonë”.
Dhe nuk humbi fare kohë. Shkoi në Bruksel, dhe ua prezantoi menjëherë programin e saj Ministrave të Jashtëm të BE-së. Së pari ,mos i njihni zgjedhjet e rreme presidenciale të Vladimir Putinit. Së dyti, baza e regjimit të Putinit është korrupsioni.
Mos u mashtroni nga miqtë e tij, tha ajo, të cilët përdorin forcën e Evropës – sundimin e ligjit – për të mbrojtur veten dhe pasuritë e tyre. “Nëse ligji nuk lejon që të ndëshkohen kriminelët e luftës dhe vrasësit, atëherë asgjë nuk funksionon”- shtoi Yulia.
Dhe më pas ofroi ndihmën e Fondacionit Navalny, që e ka hetuar korrupsionin në Rusi për 12 vitet e fundit:“Ata mund t’ju udhëheqin në çdo gjë”. Së treti, ajo kërkoi që të bëhet dallimi midis Putinit dhe Rusisë. Rusia nuk ka pasur asnjëherë një udhëheqëse politike grua.
E fundit që u përpoq, Irina Khakamada, mori vetëm 4 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Para saj ishte reformistja Galina Starovoitova që u vra në Shën Petersburg në vitin 1998.
Por nëse reagimet e hershme mund të na thonë diçka, FAR (Lëvizja Feministe Kundër Luftës) në rritje të shpejtë, deklaroi se e mbështet Navalnaya-n. Yulia e di se ajo që e pret është rreziku për jetën (“Nëse nuk kam frikë – më tha Alexei – atëherë nuk duhet të jesh as ti”), se ajo mund të vdesë, dhe se para këtij momenti do të përpiqen ta shkatërrojnë si njeri.
Ka nga ata që do ta diskreditojë, disa do të pretendojnë se është një krijesë e CIA-s, se ka nënshtetësi gjermane, se paguhet nga Perëndimi apo se ka pasur shumë dashnorë. Që të gjitha këto akuza janë hedhur tashmë dhe janë përgënjeshtruar. Hapi i parë që bënë ishte bllokimi i llogarisë së saj në Platformën X, të cilën sapo e kishte hapur.
Por si pak udhëheqës të tjera botërorë, Yulia Navanlaya di të njohë trollët dhe të kundërpërgjigjet. Ka gra që janë “hakmarrë” për burrat dhe baballarët e tyre, që e kanë përfunduar punën e tyre dhe që kanë parë agimin e lirisë. Corazon Aquino në Filipine në vitet 1980 e mposhti diktatorin Marcos, Indira Gandhi nuk u tërhoq deri në fund.
Në Mynih, sapo la podiumin, Yulia mori një përqafim të gjatë nga Sviatlana Thikhanovskaya, liderja e opozitës bjelloruse që e zëvendësoi burrin e saj ende të burgosur. “Unë nuk mendoj se ajo kishte kohë për t’u pikëlluar”-tha Thikhanovskaya.,
Ose duke qenë se koha është relative, që rrjedh më ngadalë në majë të një mali sesa në rrëzë tij, ndoshta Julia ka vendosur ta zgjerojë këtë kohë, për ta zgjatur atë përtej besimit, në përpjekje për të mbajtur gjallë Alexein, siç bëri spitalin e Omskut kur e ringjalli. Derisa të vijë ajo kohë në “Rusinë e bukur të së ardhmes” siç thoshin që të dy, që ta varrosim përfundimisht të shkuarën e errët.
Burimi: “Corriere della Sera”