Reforma e rritjes së pagave në sektorin publik përgjatë vitit që kaloi si dhe rritja e pagës minimale në shkallë vendi në 40 mijë lekë në muaj, duket se ka dhënë ndikim të menjëhershëm në shëndoshjen e skemës së pensioneve, e cila prej vitesh është konsideruar si një “gropë” për buxhetin e shtetit për shkak se kërkon transferta të larta për mbulimin e shpenzimeve.
Për herë të parë gjatë vitit që kaloi, Instituti i sigurimeve Shoqërore e mbylli vitin me një tepricë në të ardhura prej 7.9 miliardë lekësh, të cilat janë derdhur në të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për vitin 2024.
Si rezultat i performancës pozitive të të ardhurave, është reduktuar ndjeshëm transferta e buxhetit të shtetit për skemën e sigurimeve shoqërore. Kjo transfertë në vitet 2018-2022 ka qenë mesatarisht 36 për qind e totalit të shpenzimeve, para të cilat duhet të hiqeshin nga zëra të tjerë për të mbuluar pensionet dhe kategoritë e tjera të mbështetjes financiare që jep ISSH. Ndërsa në vitin 2023 kjo transfertë ka rënë ishte 27 për qind.
Po ashtu trendi në rënie i transfertës së buxhetit të shtetit për skemën e pensioneve parashikohet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2024, duke u ndikuar nga rritja e pagave në sektorin publik, reformë e cila do të vijojë edhe përgjatë këtij vitit, e cila nxit edhe rritjen e pagave në sektorin privat
Por kush e mban peshën më të madhe të të ardhurave në skemën e pensioneve? Referuar të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për 6-mujorin e parë 2023, ndër kontribuuesit kryesor në arkën e shtetit është sektori privat, i cili zë 64 për qind në raport me numrin total të kontribuuesve, ndjekur nga institucionet publike të cilat zënë 20.1 për qind, të vetëpunësuarit në bujqësi zënë 9.8 për qind dhe ata vullnetar 1.1 për qind.
Përgjatë kësaj periudhe numri total i kontribuuesve regjistrohet në 831,381 individë, duke shënuar një rritje me afro 33 mijë kontribuues krahasimisht me 6-mujorin e parë 2022.
Nëse do të analizojmë performancën e secilës kategori gjatë vitit që lamë pas në raport me vitin 2022, vihet re se formalizimi i fermerëve dhe firmat private kanë kryesuar në rritjen e numrit të kontribuuesve. /scan