MENU
klinika

Çështja e dinarit në Bruksel

Vetëvendosje: Vendimi i BQK është i pakthyeshëm

31.03.2024 - 13:01

Diskutimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, ku ndalohet përdorimi i dinarit do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme në kuadër të dialogut në Bruksel.

Në partinë në pushtet thonë se diskutimet po bëhet për të gjetur forma për zbatimin në tërësi të vendimit për dinarin, e jo për të ndryshuar.

Ndërkaq, partitë opozitare e konsiderojnë të gabuar qasjen e qeverisë për këtë temë. Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli thotë për KosovaPress, se rregullorja e BQK-së, është e pakthyeshme dhe se nuk do të ndryshohet vendimi për dinarin.

“Tashmë vendimi është marrë dhe vendimi i Bankës është i pakthyeshëm, sepse është institucion i pavarur dhe ne nuk mund të intervenojmë apo ndryshojmë. Bisedimet po bëhen për të gjetur alternativa për ta implementuar vendimin dhe jo për ta ndryshuar…Alternativat janë që të gjejmë forma qysh qytetarët të cilët kanë hasur në vështirësi të mos i kenë ato dhe të implementohet vendimi paprobleme.”

Por deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se çështja e dinarit duhet të rikthehet brenda institucioneve dhe të gjendet një zgjidhje tranzicioni për qytetarët serbë në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës jashtë çdo logjike politike, institucionale, legjislative, ligjore, çështjet e brendshme i ka bartur në Bruksel.”

Çështja e dinarit është dashur dhe duhet të rikthehet, të zgjidhet brenda institucioneve tona, brenda mandatit legjislativ dhe jo të bartet si problem ndërkombëtar. Do duhej llogaridhënie të gjithë ata të cilët e kanë sjellë këtë situatë që problemi dinarit të shtrohet për negociata në Bruksel, dhe të sanksionohet Kosova, të sanksionohet qytetarë te saj pa asnjë të drejtë.

“Ky është si rezultat i politikave të këqija menaxhuese edhe në bordin politik të BQK-së, në menaxhmentin e BQK-së dhe në politiken qeveritare të udhëhequr nga kryeministri Kurti.”

Kritike është edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila thotë se megjithëse ndalimi i përdorimit të dinarit është vendim i drejtë, ekzekutivi ka gabuar që nuk është koordinuar me partnerë ndërkombëtarë.

“Kurvendi ndodhet në një situatë të ndejshme, kish me qenë mirë që ta ketë një dakordim, apo të informohet institucionet. Megjithatë, është vendim i drejtë, kushtetues, sepse sikur çdo vend tjetër edhe Kosova ka të drejtë ta ketë monedhën e vet që për ne është euro. Por, aty ku ka shkarë është se nuk është bashkëbiseduar dhe nuk është bashkëvepruar edhe me aleatët tanë, qoftë me lejimin e një periudhë kohore që të adoptohet në këtë proces, dhe nuk ish dashtë të lejohet që çështja e dinarit të jetë temë e dialogut në Bruksel.”

Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur një dakordim për çështjen e dinarit. Pas takimit të kësaj jave, kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi tha se propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës.