Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri, është shprehur se ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka ambicie për të fituar zgjedhjet dhe për të mundur kryeministrin Edi Rama dhe PS.
Kulluri i ftuar në një emision televiziv, ku tha se qëllimi i Berishës është që të mundë në zgjedhje PD-në zyrtare dhe të dalë e të thotë se lideri i PD është ai.
Ai tha gjithashtu se PD zyrtare do të luftojë për listat e hapura dhe për ato principe që është angazhuar, pavarësisht se sipas tij, Rithemelimit dhe PS nuk i interesojnë listat e hapura, sepse nuk duan të humbin privilegjet e tyre.
“Oerd Bylykbashi ka vite që investohet, unë e kam mik, është nga të vetmit njerëz që ka mbrojtur të drejtën e pronës. Bylykbashi ka një problem patologjik me listat e hapura. Mesa duket ata nuk duan t’u prishet rehatia e një karriere të pavotuar. Nëse ne sot ankohemi për qeverisje të papërgjegjshme, çfarë presim ne, që një parlament i emëruar nga kryetarët e partive të kontrollojë veten e vetë?
PD ka një detyrë, që me ato vota që ka, të luftojë me ato principe që është angazhuar. Ne nuk jemi fashistë që të dalim të rrahim ministrat që nuk duan listat e hapura. Mekanizmat janë votat që ne kemi, shkojmë për këtë çështje.
Në kohën që është ngritur komisioni, Alibeaj është votuar edhe nga Gaz Bardhi me shokë. Ata e ndërruan këtë mendim kur e ndryshoi mendimin edhe Berisha. Po tha udhëheqësi shpirtëror i këtyre që Basha është lideri më i mirë, nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje, të gjithë këta dakord. Kur ndryshoi mendim lideri, edhe këta të gjithë si gardelina në majë të telit.
Zoti Berisha nuk ka ndonjë ambicie për të fituar zgjedhjet. Berisha ka qëllim vetëm për të mundur PD-në zyrtare, për të thënë që unë jam PD. Që të jemi të qartë, të mos i biem vërdallë bisedës kot. Ky komision është ngritur për të mbytur dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kulluri.