MENU
klinika

Si shmangu qëllimisht kontrollin e mjetit

Lejoi trafikun e armëve nga Shqipëri në Itali, detaje nga arrestimi i policit

05.04.2024 - 16:42

Të tjera detaje janë zbardhur nga arrestimi i punonjësit të policisë në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për Inspektor B. XH., 37 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës.

Burimet bëjnë të ditur se nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se ky punonjës policie ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip Bizarke me drejtues shtetasin E. U., 45 vjeç.

Kjo makinë ka udhëtuar me linjën Durres-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.

Gjatë kontrollit në Portin e Durrësit, skaneri ka dhënë dyshime, por efektivi e ka anashkaluar duke lejuar kalimin e mjetit.

Reagimi i ministrit Balla

Për arrestimin e policit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili me anë të një postimi në Facebook thotë se procesi i vetëpastrimit të policise se shtetit vazhdon.

“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë hetimit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme, do të kontribojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor”, shkruan ministri.