“Kina ka propozuar planin më të arsyeshëm të paqes për konfliktin në Ukrainë deri më tani”, tha dje Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.
Më shumë se një vit më parë, Pekini propozoi një plan prej 12 pikash me parime të përgjithshme për përfundimin e konfliktit, por pa shpjeguar se si do të zbatoheshin.
Në atë kohë, propozimi u prit me reagime “të vakëta” nga Rusia dhe Ukraina, dhe SHBA-të pretenduan se Kina e paraqet veten si një paqebërëse, por pasqyron “narrativën e rreme” të Rusisë dhe nuk e dënon pushtimin e saj.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është që dokumenti kinez të bazohet në analizën e arsyeve të asaj që po ndodh dhe nevojës për eliminimin e këtyre shkaqeve. Është strukturuar logjikisht, nga e përgjithshmja tek ajo specifike”, raporton agjencia ruse e lajmeve RIA fjalët e Lavrov.
“Ai plan është kritikuar se është shumë i paqartë, por është një plan i arsyeshëm që qytetërimi i madh kinez propozoi për diskutim”, shtoi ai.
Sakaq, Ministri i Jashtëm i Rusisë do të takohet së shpejti me homologun e tij kinez dhe presidenti Vladimir Putin tha muajin e kaluar se ai po konsideronte një vizitë në Kinë si udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në mandatin e tij të ri.
Rusia pretendon se është e gatshme të negociojë me Ukrainën, por thekson se këto bisedime duhet të bazohen në “realitete të reja” në terren, ku forcat ruse kontrollojnë pak më pak se një të pestën e territorit të Ukrainës, dhe Moska pretendon se katër rajone të pushtuara janë të sajat.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky propozoi planin e tij, i cili përfshin një ndërprerje të armiqësive dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë ruse nga territori i pushtuar.
Pra, Moska duket e gatshme për të negociuar.