“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: A duhet të vendosim gjalpë në një djegie?
Mjeku: Përdorimi i gjalpit për të trajtuar djegiet është një ilaç i vjetër popullor, që rekomandohet prej shekujsh. Kjo mënyrë përdorimi fitoi besueshmëri kur kirurgu i përgjithshëm Friedrich Von Esmarch rekomandoi në manualin e tij të shekullit të 19-të , që sipërfaqet e djegura duhet të mbulohen me vaj, yndyrë ose gjalpë. Ideja ishte të izolohej djegia nga ajri, ta mbanin të pastër, të parandalonin infeksionin dhe të ndihmonin procesin e shërimit. Von Esmarch mund të vlerësohet gjerësisht me konceptin e “ndihmës së parë”, por a kishte të drejtë për gjalpin?
Shumë prej nesh ende përdorin mjete popullore dhe për disa arsye djegiet duket se kanë tërhequr më shumë. Ndoshta kjo ndodh, sepse dhimbja na bën më të dëshpëruar për një zgjidhje. Grekët nga shekulli IV para Krishtit preferonin yndyrën e derrit të përpunuar, ndërsa romakët përdornin një përzierje mjalti.
Kirurgët në një spital në qytetin britanik të Sheffield vunë re një sërë rastesh të fëmijëve me djegie, që silleshin në spital të veshur me rroba, kur heqja e këtyre dhe çdo bizhuterie është gjëja e parë që duhet bërë.
Kjo i frymëzoi ata të verifikonin bindjet e prindërve rreth ilaçeve për djegiet. Ata u kërkuan atyre të imagjinonin se çfarë do të bënin, nëse do të gjenin një fëmijë dy-vjeçar të djegur nga uji i valuar.
Vetëm 10% dhanë një përgjigje të cilësuar si ideale dhe disa sugjeruan ilaçe që nuk funksionojnë, duke përfshirë përdorimin e gjalpit, vajit të gatimit dhe pastës së dhëmbëve. Studiuesit ishin të shqetësuar se duke qenë se kjo ishte një pyetje hipotetike e shtruar në një situatë të qetë, prindërit mund të kishin edhe më pak gjasa të ndërmarrin hapat e duhur në urgjencat e jetës reale.
Një studim turk zbuloi se vetëm pak më shumë se një e katërta e familjeve kishin vënë ujë të ftohtë në djegien e një fëmije (qasja e rekomanduar), ndërsa gjysma kishin përdorur alternativa të papërshtatshme, duke përfshirë kos, pastë dhëmbësh, paste domate, akull, të bardha veze të papërpunuara ose patate në feta.
Është e lehtë të kuptosh pse këto alternativa popullore zbatohen. Çdo djegie e ekspozuar ndaj ajrit është tepër e dhimbshme dhe është e vërtetë, që mbulimi i saj me ndonjë substancë të ftohtë do të lehtësojë pak agoninë. Por ky lehtësim nuk do të zgjasë dhe mbyllja e ajrit mund të mbajë edhe nxehtësinë, duke bërë që lëkura të vazhdojë të digjet. Meqenëse djegiet sipërfaqësore shërohen shpejt vetë, ne gabimisht supozojmë se këto zgjidhje funksionojnë kur në fakt djegia do të ishte përmirësuar vetvetiu gjithsesi.
Pra, çfarë duhet të bëni në vend të kësaj? Udhëzimet e ndihmës së parë ndryshojnë nga vendi në vend, por këshilla e përgjithshme është që pasi të keni hequr çdo veshje dhe bizhuteri, çelësi është që të hidhni ujë të ftohtë në djegie dhe ta mbani atë nën rubinetin me ujë të ftohtë për të paktën 20 minuta.
Fillimisht uji i ftohtë ndihmon në mpirjen e zonës duke e ftohur, por gjithashtu parandalon që lëkura të vazhdojë të digjet. Gjithashtu duket se ndihmon në shërimin e plagës, megjithëse studiuesit ende po debatojnë mekanizmin e saktë me të cilin ndodh kjo. Disa njerëz drejtohen menjëherë drejt ngrirësit për të marrë pak akull, por uji është më i sigurt, sepse i ftohti ekstrem mund të dëmtojë më tej indin. Së fundi, djegia duhet të mbulohet me një leckë të pastër për të parandaluar infektimin e saj.
Sa për gjalpin, ruajeni atë për bukën tuaj, përveç nëse e gjeni veten në një situatë shumë specifike. Nëse keni fatkeqësinë djegies, një substancë yndyrore si gjalpi mund të ndihmojë në pastrim të katranit, duke reduktuar dhimbjen dhe duke e bërë më të lehtë për mjekët të vlerësojnë ashpërsinë e djegies.
Gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj të përgjithshëm nëse jeni të shqetësuar për shëndetin tuaj.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.