MENU
klinika

Bota si në vitin 1939

Ç’duhet të bëjë urgjentisht Evropa për të shmangur një sulm rus?

13.05.2024 - 09:40

“Nëse Rusia fiton në Ukrainë, nuk do të ketë siguri në Evropë. E kush mund të na garantojë se Rusia do të ndalet atje? Çfarë sigurie do të ketë për vendet fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerat?”

Presidenti francez Emmanuel Macron, e tronditi botën më 26 shkurt, kur deklaroi se evropianët mund të detyrohen të dërgojnë trupa për ta ndihmuar Ukrainën. Më pas më 4 maj, ai shkoi më tej kur u shpreh se trupat franceze do të shkojnë në Ukrainë, nëse Kievi do të kërkojë ndihmën e tyre.

Po ashtu, ai e cilësoi Evropën si “të vdekshme” dhe tha se gjërat mund të shpërbëhen shumë shpejt, pasi SHBA-ja nuk është më garantuese e sigurisë së Evropës. “Unë kam një objektiv të qartë strategjik: Rusia nuk mund të lejohet ta fitojë në Ukrainë”, tha Macron.

“Nëse Rusia fiton në Ukrainë, nuk do të ketë siguri në Evropë. E kush mund të na garantojë se Rusia do të ndalet atje? Çfarë sigurie do të ketë për vendet fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerat?”– shtoi ai.

Thirrjes së tij të qartë, iu bë jehonë nga udhëheqësi i fuqisë tjetër bërthamore të Evropës, kryeministrit të Britanisë së Madhe Rishi Sunak, i cili tha “nëse Putinit i lejohet të ketë sukses në këtë luftë agresioni, ai nuk do të ndalet në kufirin polak”.

Evropianët i kapi paniku pas vonesës së dërgimit të armëve nga SHBA-ja në Ukrainë, teksa trupat ruse pavarësisht humbjeve të rënda, kanë filluar që të çajnë vijën e frontit ukrainas. Tani po kuptohet se kjo luftë nuk ka të bëjë vetëm me armët, por edhe me burimet njerëzore.

Më 4 maj, strategu i njohur ushtarak Edward Luttwak shkroi: “Aritmetika e kësaj lufte është e pashmangshme: vendet e NATO-s duhet të dërgojnë shumë shpejt ushtarë në Ukrainë, përndryshe do të detyrohen të pranojnë një humbje me pasoja katastrofike”.

Për Evropën ka mbërritur një tjetër moment i së vërtetës, si ai në vitin 1939. Ukrainasit e kanë bartur barrën e luftës për dy vite e ca, dhe përballja e drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe anëtarëve të NATO-s është shmangur deri më tani. Por tani ajo po bëhet e pashmangshme.

SHBA ka tashmë 40.000 trupa të stacionuara në Evropë në emër të NATO-s. Por do të ngurrojë të dërgojë të tjerë, duke pasur parasysh përgjegjësitë dhe shqetësimet e saj globale për Lindjen e Mesme dhe Kinën. Bashkimi Evropian shpenzon më shumë dollarë në mbrojtje.

Po ashtu, ka një numër njëjtë të personelit ushtarak “aktiv” si Rusia (1.1 milion në Evropë përkundrejt 1 milion në Rusi sipas armforces.eu). Por kësaj shifre i duhet shtuar edhe forca e konsiderueshme ushtarake e Britanisë. Gjithsesi duhet krijuar një forcë luftarake e përbashkët dhe nën komandën e NATO-s.

Fatmirësisht, Britania dhe Franca janë rritur në lartësinë e sfidës që ka lëshuar Rusia. Por duhet të mobilizohen edhe vendet e tjera me popullsi të mëdha, dhe veçanërisht Gjermania, Italia dhe Spanja. “Nëse Evropa nuk mund të sigurojë trupa të mjaftueshme, Rusia do të dominojë në fushën e betejës. Edhe nëse diplomacia ndërhyn me sukses për të shmangur një disfatë të plotë të Kievit, fuqia ushtarake ruse do të jetë rikthyer me fitore në Evropën Qendrore”, shkroi Luttëak.

Në atë pikë, fuqitë e Evropës Perëndimore, do të jenë të detyruara të rindërtojnë forcat e tyre të armatosura, pavarësisht nëse duan apo jo, duke filluar me kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, shton ai.

Jo të gjithë ndajnë pesimizmin e Luttwak mbi rezultatin e luftës. Por fakti është se Ukraina po vuan mungesën e municioneve, humbjet serioze në njerëz, pasojat e bombardimeve rusëve dhe ngurrimin e saj për 2 vite për të rekrutuar të rinjtë me synim rimbushjen e radhëve të saj.

Në fushën e betejës, ajo është më e madhe në raportin 3 me 1, por gjeneral-lejtnanti në pension Ben Hodges, ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë, beson se Rusia nuk mund të fitojë. “Forcat ruse nuk e kanë aftësinë ta arrijnë këtë”, tha ai për televizionin Al Jazeera.

Rusia ka një lëvizshmëri të kufizuar në terren dhe i mungojnë pajisjet dhe ekspertiza për të ecur përpara.
“Për këtë arsye, jam i sigurt se misioni i gjeneralit ukrainas Oleksandr Syrskyi për muajt e ardhshëm do të jetë ta stabilizojë sa më shumë që mundet vijën e frontit, për të blerë kohë dhe dhënë mundësi Ukrainës të rrisë përmasat e ushtrisë, të rindërtojë industrinë e mbrojtjes, dhe të na japë më shumë kohë edhe neve në Perëndim për të gjetur më shumë municione për ta”- nënvizoi ai.

Evropianët duhet të mobilizohen. Rusia nuk mund të përballet me shumë vende evropiane në të njëjtën kohë, dhe aq më pak të nisë një luftë bërthamore. Prandaj ishte shumë domethënëse që presidenti francez Macron, u tregua i gatshëm të ndajë me NATO-n armët e tij bërthamore.

Më pas, kryeministri britanik Sunak arriti një marrëveshje me Poloninë për të vendosur atje në të ardhmen armët e saj bërthamore taktike, siç bëri Rusia pak kohë më parë në Bjellorusinë fqinje.

Javën e kaluar, britanikët i dhanë leje Ukrainës që të përdorë raketat e saj me rreze të gjatë për të sulmuar brenda territorit rus. Dhe Sunak njoftoi se Britania do të transferojë 16.000 ushtarë në Poloni, dhe do të sigurojë avionë për të patrulluar hapësirën e saj ajrore.

 “Polonia, ashtu si Ukraina është në qendër të garantimit të sigurisë për të gjithë Evropën.  Ka ardhur koha t’i japim fund periudhës së rivalitetit midis iniciativave të ndryshme për mbrojtjen e Evropës”-​​tha kryeministri britanik.

Edhe Franca po stërvit në heshtje qindra trupa elitare mbi luftën urbane me intensitet të lartë.

Ato do të dërgohen në Rumani për të patrulluar dhe mbrojtur zonën e Detit të Zi dhe Odessën, një qytet portual dhe një qendër tregtare shumë e rëndësishme.
“Kjo është vija e kuqe e Macron. Sepse nëse Odessa merret nga rusët, atëherë 20 për qind e PBB-së së Ukrainës do të zhduket sa hap e mbyll sytë”– tha një ish-nënkolonel i ushtrisë britanike.

Po kështu, edhe Norvegjia po i dyfishon përmasat e marinës së saj, teksa ka filluar së bashku me vendet e tjera evropiane të patrullojë dhe përforcojë zonën e Detit Baltik kundër inkursioneve ose sulmeve ruse. Është interesant fakti që këto veprime përshkallëzuese, përputhen me stërvitjen e madhe të NATO-s e cila sapo ka filluar, për t’u përgatitur për zmbrapsjen e një pushtimi hipotetik rus ndaj një vendi anëtar të NATO-s.

E quajtur “Steadfast Defender 24”, stërvitja është më e madhja e kryer nga NATO që nga fundi i Luftës së Ftohtë, dhe do të testojë planet e reja të mbrojtjes të Evropës. Më shumë se 90.000 ushtarë dhe marinarë nga 32 shtetet e saj anëtare do të përfshihen nga tani deri në qershor.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ish-president i Norvegjisë, propozoi  muajin e kaluar krijimin nga 32 anëtarët e aleancës të një fondi 5-vjeçar prej 100 miliardë dollarësh për të mbështetur ushtrinë e Ukrainës.

“Unë besoj se kemi nevojë për një angazhim të madh financiar shumëvjeçar për të rritur mbështetjen tonë. Duhet të dëshmojmë se mbështetja jonë për Ukrainën nuk është afatshkurtër dhe e përkohshme, por afatgjatë dhe e parashikueshme. Moska duhet të kuptojë një gjë: ajo nuk mund ta fitojë këtë luftë”, tha ai.

Tragjikisht, strategjia e “mishit për top” e Putinit, vazhdon të shkatërrojë Ukrainën dhe një kundërsulm i ushtrisë ruse prite të nisë në qershor për të pushtuar pjesën tjetër të Ukrainës. Rreth 500.000 njerëz kanë vdekur ose janë plagosur, kryesisht rusë, por brenda Ukrainës ndodhen ende më shumë se gjysmë milionë trupa ruse.

Putini i ka përshkallëzuar sulmet ajrore. Madje disa raketa dhe dronë kanë shkelur hapësirën ajrore polake, rumune dhe moldave ose kanë kaluar shumë pranë kufijve të tyre. Kjo e nxiti kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, të deklaronte javën e kaluar se Evropa është tani në një “epokë të paraluftës”, dhe se anëtarët e NATO-s po marrin në shqyrtim mundësinë e kundërsulmeve ndaj kundër raketave, avionëve dhe avionëve rusë.

Kremlini ka reaguar me kërcënime bërthamore, dhe kohët e fundit ka nisur të pretendojë se NATO është tashmë në “përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake” me Rusinë. Në shkurt, pas komenteve fillestare të Macron, Putin e paralajmëroi NATO-n të mos guxonte të dërgonte trupa në Ukrainë.

Ndërkohë muajin e kaluar, pas një dekonspirimi mbi stërvitjen e trupave franceze që do të shkojnë në Ukrainë, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR) Sergey Naryshkin tha se të paktën 2000 trupa franceze që po përgatiten, do të jenë një objektiv prioritar i sulmeve nga forcat e armatosura ruse.

“Kjo do të thotë se ata do të pësojnë fatin e të gjithë francezëve që kanë ardhur ndonjëherë në tokën ruse”- theksoi ai. Javën e kaluar, Polonia deklaroi me guxim se është “gati” të mirëpresë armët bërthamore të NATO-s, nëse aleanca nis përgatitjen për të përforcuar krahun e saj lindor në kufi me Rusinë.

“Në rast se aleatët tanë vendosin të dërgojnë këtu armët bërthamore si pjesë e mburojës bërthamore për të forcuar sigurinë e  krahut lindor të NATO-s, ne jemi gati për këtë gjë”- deklaroi presidenti polak Andrzej Duda.

Duke pasur parasysh retorikën gjithnjë e më të fortë, ka të ngjarë që vendosja e dhjetëra mijëra trupave evropiane, si pjesë e stërvitjes ushtarake “Steadfast Defender 24”, nuk do të jetë një ushtrim i përkohshëm. Përkundrazi, do të jetë faza e parë e përgatitjes për një konflikt të mundshëm të drejtpërdrejtë me Rusinë.

90.000-120.000 trupat pjesëmarrëse të NATO-s, do të shpërndahen strategjikisht në të gjithë kontinentin deri në qershor, kur Putin supozohet të nisë kundërsulmin e tij. Dhe ka të ngjarë që ato të mbeten atje, duke ruajtur qendrat tregtare dhe energjetike, infrastrukturën thelbësore, si dhe duke patrulluar kufijtë e Ukrainës, Bjellorusisë dhe Transnistrias (një rajon separatist në Moldavi i pushtuar nga forcat ruse).

Disa do të futen fshehurazi në Ukrainë për të luftuar, këshilluar apo marrë përsipër detyra logjistike, në mënyrë që të çlirojnë më shumë trupa ukrainase që të shkojnë në frontin e betejës në lindje. Sot jemi sërish si në vitin 1939. Retë që parashikojnë ardhjen e stuhisë po grumbullohen me shpejtësi, dhe po krijohet një Forcë e Armatosur Evropiane në hije për ta shpëtuar Ukrainën dhe Evropën nga Vladimir Putin.

Burimi: “Kyiv Post”