Dikur ai e këshilloi Obamën që të mos kryente sulmin që vrau Osama Bin Ladenin. Tani, ai përballet me një vendim të ngjashëm shumë të rëndësishëm. A do të bëhet ai njeriu që do ta kishte lënë Bin Ladenin të arratisej, dhe më pas ta lërë Ukrainën të kapitullojë?
Ukraina ka nevojë për një ndryshim të lojës. Në fakt, duhen dy të tilla. E para është një dritë jeshile e qartë nga Uashingtoni, për t’i përdorur armët amerikane për të frenuar trupat ruse që po organizohen përgjatë kufijve të Ukrainës, sidomos ato pranë rajonit të Kharkiv.
Por Kievi ka nevojë edhe për krijimin sa më shpejt të një zone të ndalim-fluturimit. Presidenti Biden duhet të frymëzohet nga ish-presidenti Franklin Roosevelt. Gjatë ditëve më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, FDR bëri në vitin 1941 diçka që Biden ka hezituar ta bëjë deri tani në Ukrainë: ai rrezikoi përshkallëzimin e luftës në Atlantikun e Veriut.
Dhe e bëri këtë disa muaj përpara sulmit japonez mbi Pearl Harbor. Nëndetëset gjermane po goditnin anijet britanike. Ushtria britanike po përballej pengesa të njëpasnjëshme në Mesdhe dhe Afrikën e Veriut nga trupat e Feldmarshallit gjerman Erëin Rommel dhe divizioneve të tij të famshme Afrika Korps.
Britania rrezikonte të mbetej pa ushqime, armë, burime natyrore dhe elementët më të rëndësishëm të prodhimit, pasi numri i anijeve tregtare të fundosura nga armiku, u rrit në mënyrë alarmante. Roosevelt e kuptoi se skema e huadhënies nuk do të mjaftonte. Kryeministri britanik Winston Churchill dhe gjeneralët e tij kishin nevojë për një litar shpëtimi.
Dhe ai iu dha në formën e Islandës. Në majin e vitit 1940, nga frika se Adolf Hitleri mund të pushtonte ishullin strategjik në mes të Atlantikut, Anglia e pushtoi Islandën në një operacion të koduar me emrin Operacioni Fork.
Por nga vera e vitit 1941, ushtria dhe marina britanike ishin shumë të dobëta për të vazhduar pushtimin dhe mbrojtjen e ishullit, pra edhe sigurimin e rrugëve kryesore tregtare të Atlantikut të Veriut që lidhin Mbretërinë e Bashkuar me portet e SHBA-së përgjatë bregut lindor. Kështu FDR urdhëroi forcat amerikane të pushtonin Islandën.
Në gusht, Marina e SHBA-së nisi të përdorte anijet “PBY Catalinas” dhe “PBN Mariners“ për të patrulluar dhe mbrojtur rrugët e transportit detar nga nëndetëset gjermane. Në këtë mënyrë Roosevelti i mbronte shpatullat Churchill-it, dhe Anglia mund të përqendrohej në luftën për parandalimin e fitores së Gjermanisë naziste.
Tani është koha që Biden të bëjë të njëjtën gjë për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe gjeneralët e tij në Ukrainë. Kievi duhet t’i përqendrojë përpjekjet e tij në luftën përballë armikut në Donbas dhe në rimarrjen e Gadishullit të Krimesë, terreni vendimtar i kësaj lufte.
Por Zelensky s’mund ta bëjë këtë, në një kohë që qendrat e tij të popullsisë civile, infrastruktura energjetike dhe kapaciteti i prodhimit të armëve, vazhdojnë të jenë nën sulme pothuajse të përditshme me dronë dhe raketa ruse. Mbrojtja e këtyre zonave prapa vijës së frontit, e detyron Kievin të ndalojë dërgimin e sistemeve të vlefshme të mbrojtjes ajrore në vijën e frontit apo edhe furnizimet me raketa.
Një zonë e ndalim-fluturimit mbi Ukrainën Perëndimore, do të lironte burimet ushtarake të Ukrainës për ta forcuar luftën ndaj ushtrisë së Putinit në lindje. Tashmë ekziston një justifikim i mjaftueshëm për të krijuar një zonë të tillë. Për shembull, raketat ruse kanë kaluar disa herë mbi vendet e NATO-s, duke e shkelur hapësirën ajrore polake, rumune dhe moldave.
Po ashtu, Putin vazhdon të shënjestrojë dhe vrasë qëllimisht civilët ukrainas. Sulmet e fundit ruse në Odesa duke përdorur municione thërrmuese, ofrojnë prova të mjaftueshme për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ashtu si edhe sulmet e tij në rritje kundër Kharkiv.
Sulmi i kohëve të fundit i Iranit ndaj Izraelit, na tregon arsyen pse është më se thelbësore një zonë e ndalim-fluturimit. Pavarësisht sulmit të fundit të Teheranit dhe përdorimit të të njëjtëve dronë dhe raketa Shahed që Rusia përdor në Ukrainë, ai ishte 99.99 për qind i paefektshëm për shkak të mbrojtjes ajrore të kombinuar të Izraelit, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe disa shteteve arabe.
Civilët izraelitë e meritonin të mbroheshin nga Irani. Po ashtu edhe civilët ukrainas nga sulmet ajrore ruse. Ndaj duhet që Biden dhe NATO ta tërheqin dhe zbatojnë këtë “vijë të kuqe”. Në fillim të luftës së Putinit, ekzistonte frika se çdo lloj zone e tillë do të çonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë, dhe potencialisht në një luftë në shkallë të plotë.
Megjithatë, siç u pa në Izrael dhe mbi qiejt e Sirisë gjatë sulmit të Iranit më 13 prill, Uashingtoni dhe Moska ishin në gjendje ta shmangnin njëri-tjetrin. Ata e kanë bërë këtë për pjesën më të madhe të luftës civile të Sirisë, ku forcat ushtarake amerikane dhe ruse veprojnë në afërsi çdo ditë.
Ka të ngjarë që Putin të mos dojë të përballet me NATO-n. Sepse në gjendjen që janë forcat ajrore dhe detare të Kremlinit, nuk mund të angazhohen siç duhet në frontin e betejës në Ukrainë. Ato nuk kanë mundur të kontrollojnë hapësirën e saj ajrore dhe të veprojnë në Detin e Zi pa u ndëshkuar.
Në këto kushte, gjëja e fundit që i duhet Moskës tani është të përballet me mjetet ajrore dhe mbrojtëse të NATO-s. Vendosja e një zone të ndalim-fluturimit në Ukrainën Perëndimore, nuk ka të ngjarë të çojë në luftime të ngjashme me ato të Luftës së Dytë Botërore apo në rrëzimin e avionëve të NATO-s apo SHBA-së nga avionët bombardues rusë.
Përkundrazi, do të ndihmojë në parandalimin e sulmeve ruse me dronë dhe raketa, dhe do të zvogëlojë efektivitetin e tyre siç u pa edhe në qiejt e Izraelit, Jordanisë, Sirisë dhe Irakut muajin e kaluar. Mundësia për këtë ndryshim strategjik të qasjes ekziston. Biden e gjen sërish veten në një pikë kthese.
Dikur ai e këshilloi Obamën që të mos kryente sulmin që vrau Osama Bin Ladenin. Tani, ai përballet me një vendim të ngjashëm shumë të rëndësishëm. A do të bëhet ai njeriu që do ta kishte lënë Bin Ladenin të arratisej, dhe më pas ta lërë Ukrainën të kapitullojë?
Apo është i gatshëm që si Franklin Delano Roosevelt dikur, të rreshtohet në anën e duhur të historisë, dhe në anën e duhur të njerëzimit? Vendimi i FDR-së për të pushtuar Islandën në vitin 1941, rezultoi një lëvizje gjeniale pak më vonë, në mars 1943, kur nëndetëset të mëdha gjermane nisën të fundosnin anijet e mëdha tregtare.
Aleatët ishin në gjendje të mposhtnin flotën e frikshme të gjermanëve, dhe asnjëherë gjatë pjesës së mbetur të luftës, nëndetëset e Hitlerit nuk i kërcënuan anijet aleate në një nivel strategjik. Mbijetesa e Ukrainës, ka të ngjarë të varet nga gatishmëria e Biden për të dalë kundër agresionit rus, duke urdhëruar një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainën Perëndimore.
Simbolikisht, Putin është tani një dilemë në mendjen ne Biden, ashtu siç ishte Bin Laden në vitin 2011. Rekomandimi i Biden për Obamën, doli të ishte i gabuar. A do të dështojë ai edhe në këtë test? Civilët ukrainas shpresojnë me gjithë shpirt që ai të marrë vendimin e duhur.
Burimi: “The Hill”
Mark Toth, analist mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikan. Koloneli në pension Jonathan Sweet, ka qenë për 30 vjet oficer i shërbimit sekret ushtarak të SHBA-së.