MENU
klinika

Çfarë pret Putin nga Ministri i ri i Mbrojtjes

Rusia në prag të kolapsit si Bashkimi Sovjetik…

15.05.2024 - 11:28

“Emërimi i njërit prej ekonomistëve kryesorë të rrethit të tij të brendshëm në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, mund të nënkuptojë se Vladimir Putini mendon ta fitojë luftën me uzinat e industrisë së mbrojtjes dhe tregjet ndërkombëtare”

Britania e Madhe akuzon Vladimir Putinin për vendosjen e një “kukulle” tjetër si Ministër të Mbrojtjes. Reagimi erdhi menjëherë pas emërimit në këtë post të një ekonomisti të njohur, që lexohet si një shenjë se shefi i Kremlinit po planifikon të zhvillojë një luftë të gjatë në Ukrainë.

Presidenti rus i kapi në befasi ekspertët ushtarakë me planin e tij për të emëruar Andrei Belousov, ish-zëvendëskryeministrin 65-vjeçar, i specializuar në ekonomi, për të zëvendësuar aleatin e tij të vjetër, Sergei Shoigu, 68 vjeç, në postin e Ministrit të Mbrojtjes.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, reagoi përmes një postimi në rrjetin social Twitter:”Sergei Shoigu drejtoi një luftë që shkaktoi të paktën 355.000 viktima midis ushtarëve të tij dhe vuajtje të mëdha të civilëve në një fushatë ushtarake të paligjshme në Ukrainë. Rusia ka nevojë për një Ministër Mbrojtje, që do ta zhbënte këtë trashëgimi katastrofike dhe do t’i jepte fund pushtimit. Në fakt, në krye është vendosur një tjetër kukull e Putinit”.

Emërimi i Belousov, po interpretohet si një pranim i tërthortë nga Moska, se forcat ruse nuk do ta fitojnë dot shpejt luftën në Ukrainë. Përkundrazi, rusët synojnë të përgatiten për një luftë të gjatë ekonomike, me shpresën se Perëndimi në një ditë do të lodhet në mbështetjen që po i jep Kievit.

Putini dëshiron që Shoigu, i ngarkuar me mbrojtjen që nga viti 2012, një mik dhe aleati i tij i vjetër, të bëhet sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke zëvendësuar kreun aktual Nikolai Patrushev. Po ashtu, ai do të drejtojë kompleksin ushtarako-industrial.

Patrushev do të marrë një post të ri, që ende nuk dihet. Ndryshimet, të cilat me siguri do të miratohen nga parlamenti, janë më të rëndësishmet që Putini i ka bërë komandës ushtarake që nga dërgimi i dhjetëra mijëra trupave në Ukrainë në shkurt 2022, në atë që ai e quajti një ‘operacion ushtarak special’.

Pushtimi i tij i rrufeshëm dështoi, pasi forcat e tij nuk arritën ta pushtonin Kievin brenda disa ditëve siç ishte planifikuar. Më pas, trupat ruse u detyruan të tërhiqen në Ukrainën Lindore, ku konflikti është futur në një ngërç, teksa disa njësi kanë arritur përfitime të kufizuara por duke pësuar humbje të mëdha.

Një vonesë në dërgimin e më shumë armëve nga Perëndimi, kryesisht nga SHBA-ja, i ka dhënë mundësi ushtrisë së Putinit të fitojë epërsi në fushën e betejës muajt e fundit. Por forcat ukrainase pritet të pajisen me pajisje të reja ushtarake brenda pak javësh për të penguar përparimin e mëtejshëm të forcave ruse.

Avionët e parë luftarakë F-16 të dërguar nga Perëndimi, pritet të mbërrijnë në Ukrainë në qershor ose korrik. Po ashtu, konflikti është shoqëruar me një shtim të përdorimit të dronëve, duke përfshirë sulmet me rreze të gjatë nga të dyja palët.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ndryshimet në ekipin kryesor të Putinit janë logjike, sepse Rusia po i afrohej një situate të ngjashme me Bashkimin Sovjetik në mesin e viteve 1980, kur ushtria dhe autoritetet e zbatimit të ligjit përbënin 7.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas Peskov, kjo nënkuptonte se ishte jetike që shpenzime të tilla të përputhen dhe të integrohen më mirë në ekonominë e përgjithshme, prandaj Putini donte tani një ekonomist civil në postin e Ministrisë së Mbrojtjes. “Ai që është më i hapur ndaj risive, do të dalë fitimtar në fushën e betejës”- tha zëdhënës i Kremlinit.

Belousov, një ish-Ministër i Ekonomisë, i njohur si një njeri shumë i afërt me Putinin, ndan vizionin e liderit rus për rindërtimin e një shteti të fortë. Po ashtu, ai ka punuar me teknokratët e lartë të Putinit që duan më shumë risi dhe që janë të hapur ndaj ideve të reja.

Belousov ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e programit të prodhimit të dronëve. Lëvizja e fortë, e cila e kapi elitën në befasi, tregon se Vladimir Putini po e përshkallëzon luftën në Ukrainë, dhe dëshiron të shfrytëzojë më shumë nga ekonomia ruse për luftën, teksa Perëndimi u përpoq, por deri më tani ka dështuar, që ta fundoste ekonominë përmes sanksioneve.

Deri më sot, ekonomistët rusë kanë siguruar kryesisht stabilitet dhe rritje ekonomike, pavarësisht sanksioneve më të ashpra të vendosura ndonjëherë ndaj një ekonomie të madhe. Kjo edhe pse dështimet e ushtrisë ruse u zbuluan menjëherë pas pushtimit.

“Emërimi i njërit prej ekonomistëve kryesorë të rrethit të tij të brendshëm në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, mund të nënkuptojë se Vladimir Putini mendon ta fitojë luftën me uzinat e industrisë së mbrojtjes dhe tregjet ndërkombëtare”- mendon Alexander Baunov, ish-diplomat rus, sot anëtar në institutin Carnegie Russia Eurasia.

“Në këtë rast, strategjia fituese nuk do të jetë mobilizimi dhe përparimi në fushën e betejës, por presioni i ngadaltë ndaj Ukrainës me fuqinë superiore të kompleksit ushtarako-industrial rus dhe ekonomisë në tërësi, e cila me sa duket supozohet se do të funksionojë në mënyrë më efektive, si për pjesën e përparme ashtu edhe të pasme të frontit”- nënvizon ai.

Ky ndryshim i jep Shoigu një post, i cili konsiderohet si teknikisht i lartë në raport me rolin e tij të deritanishëm në Ministrinë e Mbrojtjes, duke siguruar vazhdimësinë dhe duke i shpëtuar fytyrën ish-ministrit. Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, dhe një figurë me një rol më praktik kur bëhet fjalë për drejtimin e luftës, do të mbetet në postin e tij.

Sergei Shoigu u kritikua ashpër nga blogerët ushtarakë rusë, për një seri tërheqjesh që ushtria ruse u detyrua të bënte gjatë vitit 2022. Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar Vagner dhe një nga kritikët më të ashpër të ish-ministrit, udhëhoqi vitin e kaluar një rebelim të dështuar, me të cilin ai shpresonte se do ta rrëzonte Shoigun, përpara se të binte dakord për ta anuluar puçin. Prigozhin u vra pak javë më vonë në një aksident ajror, që bart ende sot shumë dyshime.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Financial Times/ Ndëshkimet ekonomike mund te rriten!

A ka SHBA të tjera sanksione kundër Rusinë?

Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!


“Përpjekje për të ruajtur një balancë delikate politike“

VOA: Netanyahu takime të veçanta me Biden, Harris dhe Trump

Analiza nga DW/ Foli shumë pak për Donald Trump

Pse Scholz mendon se Kamala Harris mund të fitojë në SHBA

“Izolimi i Kinës” nga bota

Si e mbylli Xi Jinping vendin?