MENU
klinika

Për çfarë ranë dakord udhëheqësit e G7

Mbyllet takimi i nivelit të lartë me një paralajmërim për Kinën

15.06.2024 - 10:16

Drejtuesit e vendeve të Grupit të Shtatëshes përfunduan takimin e nivelit të lartë me paralajmërimin më të fortë të bërë deri më tani Kinës, duke deklaruar se mbështetja nga Pekini për bazën e industrisë ushtarake të Moskës “po i mundëson Rusisë të vazhdojë me luftën e saj të paligjshme në Ukrainë”.

Udhëheqësit e G7-ës ranë gjithashtu dakort me propozimin e presidentit amerikan Joe Biden për t’i ofruar Kievit dhjetëra miliarda dollarë kredi, që do të shlyhen nga interesat e krijuara nga pasuritë e ngrira të Rusisë që gjenden në institucionet financiare perëndimore. Kryeministrja italiane, njëkohësisht organizatore e takimit të nivelit të lartë, Giorgia Meloni, tha se “kemi arritur një marrëveshje politike për të ofruar 50 miliardë dollarë mbështetje të mëtejshme financiare për Ukrainën deri në fund të vitit”.

Udhëheqësit e vendeve demokratike më të pasura të botës thanë se janë “të angazhuar për t’ia shtuar Rusisë kostot e luftës”, duke kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj atyre që ndihmojnë Moskën në shmangien e sanksioneve.

Paralajmërimi ndaj Kinës gjendet në deklaratën e përbashkët të qarkulluar nga udhëheqësit ndërsa po përfundonte dita e dytë e takimit të nivelit të lartë në Apulia, të Italisë. Komunikata përmban gjuhën më të fortë të përdorur deri më tani ndaj Pekinit, duke reflektuar kështu zhgënjimin e presidentit Joe Biden me rolin që po luan Kina në fuqizimin e makinerisë së luftës së Rusisë.

Pekini po i ofron Rusisë teknologjinë për të prodhuar armë, tha presidenti Biden të enjten në mbrëmje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. “Pra, po ndihmon në fakt Rusinë”, tha ai.

Udhëheqësit e G7-ës vunë në dukje rrezikun që paraqet Kina për sigurinë e ekonomisë globale, përfshirë mbiprodhimin e makinave elektrike dhe praktikat e tregtisë dhe investimeve në vendet në zhvillim.

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën rritje të tarifave deri në 38% për importet e automjeteve elektrike kineze, mes hetimeve nëse prodhuesit kinezë të automjeteve po mbingarkojnë tregjet evropiane me automjete elektrike më pak të shtrenjta, të subvencionuara nga qeveria.

Pekini tha se “do të marrë të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e tij, por nuk u kundërpërgjigj ndaj BE-së.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara katërfishuan tarifat për automjetet elektrike kineze dhe vendosën rritje të mëdha për disa produkte të çelikut dhe aluminit kinez, panelet diellore dhe gjysmëpërçuesit.

“Me kalimin e kohës, është më e qartë se ambicia e presidentit [kinez] Xi [Jinping] është të rivendosë dominimin e Kinës të paktën në rajonin Indo-Paqësor, ndoshta edhe më gjerë. Dhe kjo po zhvillohet kryesisht nëpërmjet një përpjekjeje për të vendosur dominim ekonomik dhe teknologjik”, u tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden gazetarëve që udhëtonin me presidentin të premten. Zyrtari foli në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje diplomatike.

Mbështetja e Pekinit për Rusinë mund të “përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë e Evropës”, paralajmëroi zyrtari amerikan.

Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione dytësore ndaj entiteteve që ndihmojnë Moskën, përfshirë kompanitë me seli në Kinë që shesin gjysmëpërçues në Rusi dhe banka më të vogla kineze me lidhje me institucionet financiare ruse ndaj të cilave janë vendosur më herët sanksione.

Pekini i denoncoi sanksionet, duke akuzuar Uashingtonin për përdorimin e luftës “si një mundësi” për të shtypur vendet e tjera. “E gjithë kjo zbulon kalkulimet e Shteteve të Bashkuara, hipokrizinë dhe çfarë përndjekësi janë”, tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian.

Papa sjell në vëmendje inteligjencën artificiale

Udhëheqësit e G7-ës u zotuan për një “inteligjencë artificiale të sigurtë dhe të besueshme” dhe “mirëqeverisjen e inteligjencës artificiale duke nxitur gjithëpërfshirjen” dhe duke zbutur rreziqet për të drejtat e njeriut dhe nga fragmentimi i kuadrit qeverisës.

Grupi i Shtatëshes gjeti një aleat të pazakontë – Papa Françeskun, i cili mbajti fjalimin mbi etikën e inteligjencës artficiale në një seancë speciale me udhëheqësit. Vitin e kaluar, udhëheqësi katolik ra viktimë e pamjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale, ku shfaqej i veshur me një xhaketë të shtrenjtë, ose duke ngarë një motoçikletë, apo duke fluturuar me një avion luftarak, ose në një klub nate dhe në ambiente të tjera të papërshtatshme.

Kryeministrja italiane Meloni po kërkon të fuqizojë iniciativën e Papa Françeskut, “Thirrjen e Romës për Etikën e Inteligjencës Artificiale”. Kjo iniciativë u kërkon qeverive, institucioneve dhe bizneseve të sigurohen që “novacioni dixhital dhe përparimi teknologjik t’i shërbejnë gjenialitetit dhe kreativitetit njerëzor dhe jo zëvendësimit të tyre gradual”.

Duhet bërë ende shumë punë pasi kuadret rregullatore në vendet anëtare të G7-ës janë të ndryshme, tha për Zërin e Amerikës Raluca Csernatoni, studiuese në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.

“Këto mospërputhje dhe mungesa e një logjike unifikuese/harmonizuese do të jenë të vështira për t’u zgjidhur politikisht, për anëtarët e G7 që të arrijnë ndërveprueshmërinë; si dhe ndërkombëtarisht, që parimet të shtrihen përtej fushëveprimit të tyre aktual dhe të miratohen globalisht; si dhe ekonomikisht, për biznesin global në të gjitha këto tregje kryesore”, tha ajo.

Papa Françesku mund ta rikthejë vëmendjen tek etika e inteligjencës artificiale, përfshirë mbrojtjen e njerëzve të ekspozuar dhe zbutjen e hendekut dixhital global, tha zonja Csernatoni, pavarësisht “ngjyrimit katolik”.

Ndikimi katolik tek takimi i nivelit të lartë krijoi ndasi edhe në një tjetër drejtim, me Italinë që këmbënguli për heqjen e referencës për “abortin e sigurt dhe të ligjshëm” nga komunikata përfundimtare. Në takimin e tyre në Japoni vitin e kaluar, komunikata bëri thirrje për “qasje tek aborti i sigurt dhe i ligjshëm, si dhe kujdesin pas abortit”.

Heqja e frazës ishte një fitore për zonjën Meloni, por u kundërshtua nga udhëheqës të tjerë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron. Vetë presidenti Biden është katolik i devotshëm, por ka qenë mbështetës i të drejtave riprodhuese të grave, përfshirë abortin.

Zyrtari i lartë amerikan e minimizoi rëndësinë e kësaj mosmarrëveshjeje.

“Gjuha që lidhet me abortin thotë se ne përsëritëm angazhimet tona nga komunikata e Hiroshimës”, tha zyrtari për Zërin e Amerikës. “Disa nga fjalët mund të mos jenë identike, por angazhimet janë të njëjta”.

Udhëheqësit u angazhuan për të trajtuar shkakun rrënjësor të emigrimit, menaxhimin e kufijve dhe luftimin e kontrabandës së emigrantëve. Udhëheqësja e së djathtës së skajshme Meloni bëri fushatë me retorikë kundër emigrantëve, por ka bërë investime në Afrikë për të trajtuar emigrimin në Evropë, një temë kryesore e presidencës së saj të G7-ës.

Udhëheqësit riafirmuan gjithashtu mbështetjen për propozimin e fundit të armëpushimit në Gazë. Presidenti Biden tha të enjten se nuk ishte i bindur se do të arrihej së shpejti një pauzë në luftime dhe se Hamasi ishte përgjegjës për vonesën.

“Kam paraqitur një përqasje që është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nga G7-a, nga izraelitët, dhe pengesa më e madhe deri më tani është refuzimi i Hamasit për ta nënshkruar, edhe pse kanë paraqitur diçka të ngjashme”, tha ai.

Presidenti Biden rikthehet në Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të sesioneve të G7-ës dhe takimeve dypalëshe me zonjën Meloni dhe Papa Françeskun. Ai do të marrë pjesë në aktivitete elektorale në Los Anxhelos gjatë fundjavës./VOA