MENU
klinika

Përvjetori i gjenocidit në Srebenicë

Mesazhi i fshehtë i BE për Dodikun dhe Vuçiçin

11.07.2024 - 14:08

Dje, në prag të 29-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Bashkimi Evropian tha se “nuk ka vend mes nesh” për ata që e mohojnë atë, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe të festojnë kriminelët e luftës. “Nuk ka vend mes nesh për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe festojnë kriminelët e luftës”, thuhet në një deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi.

Në një deklaratë të përbashkët, ata theksojnë se gjenocidi në Srebrenicë është një nga “momentet më të errëta në historinë moderne evropiane”. “Është detyra jonë të nderojmë kujtimin e më shumë se 8,300 djemve dhe burrave që u vranë sistematikisht në kodrat rreth Srebrenicës”, thanë ata.

Dy zyrtarë të lartë evropianë bëjnë thirrje për refuzimin e retorikës përçarëse dhe për veprim të bazuar në të vërtetën, drejtësinë, besimin dhe dialogun. “Shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon njohjen dhe mësimin e fakteve historike, nderimin dhe kujtimin e viktimave, identifikimin e të zhdukurve dhe nxjerrjen e të gjithë autorëve para drejtësisë. Ky është çelësi për përballjen me rrënjët e urrejtjes që çoi në gjenocid”, thanë Borrell dhe Varhelyi në një deklaratë.

Ata kujtojnë se vendimi i Këshillit Evropian nga marsi për hapjen e negociatave me Bosnje-Hercegovinën ofron një mundësi kyçe për vendin që të avancojë në reformat për të forcuar demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë për qytetarët e BiH dhe për ta sjellë vendin më afër anëtarësimit në BE. “Ne përsërisim angazhimin tonë të qartë për të ardhmen e vendit në BE”, thuhet në deklaratën, mesa duket drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe aleatit të tij Milorad Dodik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Votimi në Nju Jork “përndjek” Vuçiçin

Si po tenton Dodik të mohojë gjenocidin në Srebenicë