Raporti i Politikës Monetare nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit ka pasur një rritje të kërkesës për mallra dhe shërbime nga qytetarët. Por, si i janë përgjigjur bizneset kësaj kërkese në rritje? Sipas Scan, kushtet e shtrënguara në tregun e punës e kanë bërë të vështirë ofrimin në sasinë dhe cilësinë e kërkuar, të mallrave dhe shërbimeve nga bizneset për konsumatorët. Sipas tyre, mungesa e fuqisë punëtore është faktor kufizues për zgjerimin e aktivitetit të biznesit. Për t’u bërë sa më tërheqës për punonjës të rinj, këto sipërmarrje kanë tentuar të rrisin pagat. Rritja e pagave në sektorin privat është përshpejtuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, duke arritur në 12.7%, nga 11.6% që ishte në fund të vitit 2023. Rritja e pagave vazhdon të jetë me bazë të gjerë sektoriale. Përshpejtim vihet re edhe në pagën reale, ku rritja në tremujorin e parë u ngjit në 10%, nga 7.7% që ishte në tremujorin paraardhës.
Pavarësisht rritjes së pagave, statistikat afatshkurtra dhe treguesit administrativë të tregut të punës flasin për një rritje të ngadaltë të punësimit deri në fund të muajit mars, duke ndjekur kështu tendencën e vitit 2023. Ndërsa për sa i përket tremujorit të dytë, norma e punësimit ka qenë pak më e lartë, në përputhje edhe me pritshmëritë e bizneseve dhe qytetarëve. Pagat më të larta për punonjësit janë shoqëruar me një rritje të kostove të punës për bizneset. Deri më tani, kostot e punës për njësi janë zgjeruar me ritme më të ngadalta, për shkak të një rritjeje më të shpejtë të produktivitetit. Megjithatë, marzhi i fitimit për njësi të bizneseve ka rënë, e cila ka rezultuar në çmime më të larta të mallrave dhe shërbimeve. Dinamika midis këtyre dy faktorëve në të ardhmen do të jetë përcaktuese për ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste.