Ylli me origjinë shqiptare Rita Ora, ka dhënë së fundmi një intervistë për ‘Time Out London’ ku rrëfeu detaje rreth karrierës, jetës personale dhe lidhjes së saj të pandërprerë me vendlindjen, Kosovën.
Ajo u shpreh se prindërit e saj kanë sakrifikuar shumë për të rritur fëmijët e tyre.
“Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë për ne. Mamaja ime, e cila është psikiatre, dhe babai im, një sipërmarrës në fushën e gastronomisë, duhej të mësonin një gjuhë të re dhe të rindërtonin jetën e tyre nga fillimi. Mamaja është shumë, shumë kosovare – me theksin e saj, me ushqimin. Unë gjithmonë jam rreth saj”- tha Rita.
Pavarësisht suksesit të saj të madh në botë, Rita nuk e ka harruar kurrë prejardhjen e saj. Ajo është kthyer shpesh në Kosovë për të mbështetur projekte humanitare dhe në vitin 2019, u emërua Ambasadore e UNICEF-it në Mbretërinë e Bashkuar pas vizitës së saj për të parë punën e UNICEF-it në rajon.
“Unë nuk e di se çfarë ka në atë ujë, por jam shumë krenare për të gjithë yjet e mrekullueshëm të pop-it që kanë dalë nga Kosova”, thotë ajo.