Trajneri Christian Panucci në çdo grumbullim ka sjell emra të rinj në Kombëtare, kështu do të jetë edhe kësaj here për ndeshjen e parë eliminatore me Turqinë, në Shkodër.
Mesfushori Kristi Qose është një nga risitë e listës. Edhe pse kjo listë nuk është publikuar ende nga trajneri italian, futbollisti korçar do të grumbulluar për ndeshjet e radhës, pasi e ka marrë ftesën.
Klubi i Ruzomberokut në Sllovaki e ka bërë të ditur lajmin në faqen e vet zyrtare, ku thuhet se për mesfushorin Kristi Qose ka ardhur ftesa nga kombëtarja shqiptare. Futbollisti 23-vjeçar po shkëlqen në kampionatin sllovak, ku luan prej tre vjetësh.
Këtë sezon ai ka shënuar 6 gola me fanellën e Ruzomberokut, ku është titullar i padiskutueshëm. Është një futbollist me parametra fizikë të admirueshëm dhe trajneri Panucci nuk ka nguruar ta ftojë këtë radhë.
Qose luan si shkatërrues, por bën edhe mbrojtësin e qendrës. Ai është aktivizuar me kombëtaret e moshave, ndërsa tani ka ardhur momenti edhe për Kombëtaren A, së cilës pritet t’i shërbejë në të ardhmen.