Federata e Futbollit do të shkojë me propozime konkrete në tryezën që do të organizohet të hënën sa i përket të gjitha çështjeve që shqetësojnë futbollin shqiptar.
Sipas Tv Klan, rikthimi i policisë në stadiume është pika kryesore. “Të bëhet ligj që të paktën këto propozime që ne do të bëjmë, e shikojmë të domosdoshme praninë e policisë në stadiume” – është shprehur Ilir Shulku, Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së.
Sipas draftit të përgatitur në Federatë, që do të përkthehet me ndryshime në ligj, do të konsiderohen vepër penale hyrja në fushën e lojës, hedhja e sendeve dhe organizimi i koreve fyese.
Sekretari i Përgjithshëm në Federatën Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku përmend disa nga propozimet:
“Personat të cilët prishin një ndeshje futbolli, dhunojnë zyrtarë apo lojtarët kundërshtarë, të kenë dënime drastike dhe kjo punë vetëm me masa të rrepta do të fillojë të përmirësohet”.
Si organizmi që qeveris futbollin në vend, federata po mendon të mbikqyrë financuesit e këtij sporti, duke propozuar lehtësi fiskale për presidentët dhe sponsorët e klubeve.
“Për të marrë masat për organizimin dhe ndihmën që mund të japi qeveria, persona, shoqata, shoqëri që kontribuojnë dhe derdhin paratë e tyre në sportin shqiptar, përmirësime për ligjin për TVSH-në, ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe kështu me radhë. Janë disa pika që besoj do të jenë pjesë e diskutimit të tavolinës” – shton Shulku.
Drejtimi nga Kryeministri i kësaj tryeze i bën besimplotë drejtuesit e federatës se shumë prej ketyre problemeve do të marrin zgjidhje. Në takim pritet që të marrë pjesë Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.