Një tjetër finale e humbur për Roger Federer dhe për pasojë tenisti zviceran humb edhe vendin e katërt në renditjen e përgjithshme për meshkuj.
Tenisti austriak Dominic Thiem ka fituar turneun e tij të parë Masters në karrierë, duke triumfuar në Indian Wells ndaj legjendës së këtij sporti, Roger Federer.
Austriaku e mundi zviceranin 2-1 në finale, 3-6, 6-3, 7-5. Falë këtij suksesi, Thiem ngjitet në vendin e katërt të renditjes botërore, ndërsa Federer ndodhet një vend pas tij.
Ndeshja nisi mirë për Federer, që e dominoi setin e parë, ku u shkëput që në fillim dhe fitoi 6-3. Por shpejt rikuperon Thiem, që përmbys lojën në setin e dytë, duke ngritur ndjeshëm nivelin dhe fiton 6-3. Loja bëhet mjaft e bukur në setin e tretë, ku loja është e barabartë deri në shifrat 5-5.
Më pas Thiem ia merr shërbimin Federerit, duke e fituar setin e tretë 7-5 dhe përfundimisht ndeshjen 2-1.