MENU
klinika

Kombëtarja

Pas 17 vjetësh, përsëritet Andorra…

24.03.2019 - 13:22

Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar drejt Andorrës, ku do të luajë nesër në mbrëmje ndeshjen e dytë eliminatore të “Euro 2020”, me të parën që u humb ndaj Turqisë në Shkodër.

Kjo ndeshje vjen ndryshe, pasi nuk është më trajneri Christian Panucci dhe ndeshjen do ta drejtojë Ervin Bulku, i ndihmuar nga Sulejman Mema.

Pra, ndaj Andorrës do të jetë një dyshe trajnerësh shqiptarë dhe kjo nuk ndodhte prej 17 vitesh dhe pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar.

Më 17 prill 2002, Shqipëria po luante një miqësore në Andorra, me trajner Sulejman Demollarin. Por ekipi modest, për habi të të gjithëve, na mundi 2-0, që shënon pikën më të ulët të ekipit tonë kombëtar.

Shqipëria luajti rreht një orë me 10 lojtarë (Xhumba doli me karton të kuq në 33’), por kjo nuk ishte justifikim për kreun e FSHF-së, Armand Duka (sapo ishte zgjedhur), që shkarkon Demollarin dhe që atëherë nuk ka pasur më trajner shqiptar.

Pra, plot 17 vjet që ekipin kombëtar nuk e drejton një shqiptar dhe vjen pikërisht sfida me Andorrën ku në stol si drejtues do të jetë një shqiptar, ish-mesfushori kuqezi, Ervin Bulku.

Koicidenca vijon, sepse Bulku ka hyrë në fushë në minutën e 54-t në atë ndeshje, ndërsa trajner i Andorrës është Koldo Alvarez, që më 2002-in nuk lejoi që të prekej porta e vet.

Andorra ka gjithsej 5 fitore në historinë e vet dhe një nga këto fitore e ka pikërisht ndaj Shqipërisë. Është koha për “hakmarrje” për Ervin Bulkun, por edhe për Kombëtaren shqiptare.