Kur u mendua se problemi i Mauro Icardit u zgjidh, me ish-kapitenin që u rikthye normalisht në stërvitje javën e fundit, në kampin zikaltër është thelluar hendeku.
Sulmuesi argjentinas nuk është grumbulluar për ndeshjen që Inter-i do të luajë kundër Lazio-s të dielën në mbrëmje në “San Siro”. Lajmin e ka dhënë trajneri i zikaltërve, Luciano Spalletti, në konferencë për shtyp.
“Mauro është stërvitur, por nuk është akoma gati dhe nuk mendoj se do të ishte në gjendje të na ndihmonte për këtë ndeshje. Për këtë arsye kam vendosur të mos e grumbulloj kundër Lazio-s”, – ka thënë Spalletti.
“Lazio? Po zhvillon një kampionat shumë të mirë edhe në këtë sezon. Simone Inzaghi e bën skuadrën të luajë shumë mirë. Janë tri pikë të rëndësishme, sepse do të luajmë kundër një rivali direkt” – ka përfunduar trajneri i Interit.
Tani pritet lëvizja e Icardit ose e bashkëshortes-menaxhere, Wanda Nara. Duket se Spalleti sa i ka hedhur më shumë “benzinë zjarrit” me këtë zgjedhje.