Chelsea ka treguar karakter në ndeshjen e sotme në Cardiff, duke përmbysur shifrat në 2-1. Blutë e Londrës po humbisnin deri në 84’, por më pas bënë gjithcka mirë.
“Merr frymë” edhe trajneri Sarri, pasi skuadra tashmë i ka të gjitha shanset për të kapur vendin e katërt dhe për të marrë pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm.
Takimi është zhbllokuar në minutën e 46-të nga një e majtë e bukur e Victor Camarasa, i cili është golashënuesi më i mirë i Cardiff-it në këtë sezon të Premier League me pesë realizime.
Befasia për vendasit ka ardhur në minutën e 84-t, kur Azpilicueta ka barazuar për miqtë në një pozicion jashtë loje të dukshëm për të gjithë, por jo për anësorin.
Ky gol ka demoralizuar Cardiff-in dhe i ka dhënë zemër londinezëve, të cilët kanë përmbysur rezultatin me Loftus-Cheek në minutën e 91-të.
Falë këtyre tri pikëve, Chelsea ka 60 pikë në renditje, vetëm një më pak se vendi i katërt, që mbahet nga Manchester United.