MENU
klinika

Takime me zyrtarët

Cakaj vizitë në SHBA, çfarë do diskutohet ?

03.04.2019 - 09:15

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj nisi vizitën e tij në SHBA në kuadër të Ministerialit të NATO-s.

Cakaj do të zhvillojë një seri takimesh dypalëshe me zyrtarë të lartë amerikanë si dhe homologë nga vendet aleate. Në ditën e parë të qëndrimit në Washington, ministri u takua me senatorin Ron Johnson, Kryetar i Nënkomitetit të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale si dhe kongresmenin Lee Zeldin.

Gjatë këtyre takimeve me zyrtarët e lartë amerikanë u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, përpjekjeve të saj në kuadër të reformave për hapjen e negociatave si dhe rolin e rëndësishëm që ajo luan në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus ishin gjithashtu përgatitjet e Shqipërisë për marrjen e kryesisë së rradhës së OSBE-së në vitin 2020, lobimin e saj për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB-së dhe angazhimet e saj në kuadër të Aleancës Atlantike të Veriut.

Senatori Ron Johnson dhe Kongresmeni Lee Zeldin, vlerësuan dhe mbështetën masat e marra nga Shqipëria përsa i përket reformave që do t’i hapnin rrugën fillimit të negociatave në qershor 2019. Zyrtarët amerikanë shprehën gatishmërinë e tyre maksimale për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të rritur kontaktet dypalëshe në dobi të avancimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Ministri në Detyrë Cakaj, shprehu falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqipërisë.