Futbollistët shqiptarë në Zvicër janë thuajse në çdo skuadër, qoftë në elitë, qoftë në kategoritë inferiore, madje edhe në ato të moshave gjenden me shumicë.
Por rasti i djeshëm është vërtet interesant. Në ndeshjen Schaffhausen-Winterthur në fushën e lojës ishin plot 9 futbollistë shqiptarë në fushë.
Winterthur fitoi 3-1, ku golin e tretë e shënoi Taulant Seferi, që më parë ka luajtur me ekipin Shpresa të Shqipërisë dhe është në pritje të Kombëtares A.
Në minutën 91’, Seferi arriti të realizonte pas një pasimi të dhënë nga një tjetër shqiptar dhe ishte pikërisht, 28-vjeçari Denis Markaj ai që asistoi.
Tre shqiptarë luajtën me Schaffhausen, ndërkohë që 6 të tjerë me Winterthur. Bunjaku dhe Demhasaj që janë pjesë e Kosovës, në protokollin e ndeshjes janë prezantuar si zviceranë, pasi gëzojnë edhe pasaportën e Zvicrës, ndërkohë që edhe Qollaku, që ka luajtur me Shqipërinë U21, është paraqitur si zviceran.
Nga ana tjetër, është Markaj i Kosovës që prezantohet po si zviceran, ndërkohë që edhe Abedini, Mulaj dhe Saliji vihet re që janë paraqitur si zviceranë, ndërsa Hamdiu si maqedonas.
Ndryshe ka ndodhur me Taulant Seferin që në protokollin me 9 futbollistë shqiptarë, është i vetmi futbollist që origjinën e tij e ka vënë nga Shqipëria, duke treguar edhe njëherë tjetër se në zemrën e tij është vetëm Shqipëria.