Manchester City, Chelsea dhe Tottenham kanë fituar pa probleme ndeshjet e tyre, përkatësisht 2-0 ndaj Cardiff, 3-0 ndaj Brighton dhe 2-0 kundër Crystal Palace.
Me këto rezultate, City rikthehet në krye të renditjes, ndërsa Tottenham rimerr vendin e tretë. Chelsea ngjitet në vendin e pestë, duke barazuar Arsenalin, por topcinjtë kanë një ndeshje më pak.
Pep Guardiola ka vendosur të bëjë rotacion në prag të një kalendari të ngjeshur që e pret skuadrën e tij në javët e ardhshme, por çdo gjë ka shkuar me sukses me dy golat e shënuar që në pjesën e parë.
Ishte De Bruyne ai që zhbllokoi rezultatin përpara se Sane të dyfishonte shifrat. Një fitore e merituar e Qytetarëve në Etihad.
Për Chelsea, ishte Giroud ai që zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë, përpara se të shpërthente Hazard në pjesën e dytë me gol dhe asist për Loftus-Cheek. Një fitore e rëndësishme për londinezët.
Tottenham është rikthyer te fitorja pas humbjes ndaj Liverpool në fundjavë, teksa ka mundur Crystal Palace me rezultatin 2-0. Spurs e kanë nisur mirë aventurën në stadiumin e ri, megjithëse pjesa e parë la për të dëshiruar.
Son zhbllokoi rezultatin përpara se Eriksen të vuloste fitoren në fund të takimit. Tottenham ngjitet në vend të tretë me një pikë më tepër se Arsenal, që ka një ndeshje më pak.