Autoriteti i Konkurrencës autorizoi këtë javë shitjen e kompanisë Telekom Albania te konsorciumi bullgar Albania Telecom Invest.
Shitja ishte miratuar në muajin mars edhe nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si kusht i përcaktuar në autorizimin individual për përdorimin e radiofrekuencave. Autorizimi nga Autoriteti i Konkurrencës i hap rrugë finalizimit të transaksionit dhe zyrtarizimit të konsorciumit bullgar si pronar i ri i kompanisë së parë të telefonisë celulare në Shqipëri.
Komisioni i Konkurrencës është shprehur në vendim se pala blerëse nuk është e pranishme në tregun përkatës dhe blerja e aksioneve nuk sjell përqendrim në strukturën e tij.
Megjithatë, sipas vendimit, veprimtaria e Telekom Albania do të mbahet në monitorim njëvjeçar nga ky institucion. Kompania duhet të njoftojë paraprakisht pranë Autoritetit të Konkurrencës të gjitha ndryshimet e kryera në paketat dhe tarifat standarde, si dhe në ofertat promocionale që do të hedhë në treg, gjatë periudhës së monitorimit.
Marrëveshja për shitjen e 99.76% të aksioneve të Telekom Albania nga grupi grek Cosmote te konsorciumi bullgar Albanian Telecom Invest u zyrtarizua në janar të këtij viti, për një shumë prej 50 milionë eurosh.
Vitin e kaluar, qeveria shqiptare pengoi finalizmin e marrëveshjes me Telekom Srbija, që kishte ofruar 61 milionë euro për blerjen e Telekom Albania.