MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 15 prill?

15.04.2019 - 08:14

1071 – Bari, zotërimi i fundit bizantin në Italinë e Jugut, pushtohet nga normani Robert Guiscard (1015-1085). 11 vjet më vonë, Guiscard mposhti edhe perandorin bizantin Aleks I Comnenus në betejën e Durrësit në tetor 1081, duke e marrë qytetin pas një rrethimi të gjatë (perandori iku i plagosur). Në shkurt 1082, Guiscard do të arrinte deri në Korfuz.

1452 – Në Vinçi të Italisë lindi Leonardo da Vinci – piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Gjenialiteti i tij është i pakrahasueshëm, edhe sot; njeri i kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethëshme krijuese. Leonardo është konsideruar gjerësisht si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithëanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Sipas historianes së artit Helen Gardner, shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pa shembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor. Leonardo (v. 1519) njihet kryesisht si piktor. Ndër veprat e tij, Mona Lisa është portreti më i famshëm; Darka e Fundit, piktura më e riprodhuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi Njeriu Vitruvian konsiderohet si ikonë kulturore, e riprodhuar në objekte të ndryshme si në monedhën euro, tekste shkollore, dhe kanatjere. Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Sipas Leonardos, lartësia normale e trupit të njeriut duhet të jetë sa gjatësia e kokës shumëzuar me 9.

1755 – Botohet në Londër Fjalori i Gjuhës Angleze nga Samuel Johnson (mes fjalorëve më me ndikim në historinë e anglishtes). Atij iu deshën 9 vjet për të përfunduar Fjalorin, edhe pse kishte thëne se do ta përfundonte atë në tre. Deri në botimin e Oxford English Dictionary, 173 vjet më vonë, Fjalori i Johnsonit konsiderohej si i vetmi fjalor autoritativ në anglisht – me 42.773 fjalë të ilustruara me rreth 114,000 citime letrare. Autorët e cituar më shpesh nga Johnson përfshijnë Shekspirin, Milton dhe Dryden. Ndryshe nga leksografët e tjerë, Samuel Johnson futi në fjalor edhe humor e paragjykime në shpjegimin e shumë fjalëve, p.sh.:

-Akcizë: taksë e urryer vënë mbi mallrat nisur jo nga vlera e mallit por nga gjykimi i atyre të cilëve taksa u paguhet.
-Leksikograf : shkrimtar fjalorësh, hamall i padëmshëm që i hap punë vetes për gjetje origjinale dhe detajon kuptimin e fjalëve.
-Elb: lloj drithi me të cilin në Angli ushqehen kryesisht kuajt, por në Skoci e hanë njerëzit.

1865 – Abraham Linkoln vdes pasi ishte qëlluar një natë më parë nga aktori John Wilkes Booth, ndërsa po shikonte një shfaqje në Teatrin Ford në Uashington.

1912 – Anija e udhëtarëve Titanik zhytet në Atlantikun e Veriut dy orë e dyzet minuta pas përplasjes me një ajsberg. Vetëm 710 nga 2,227 pasagjerët dhe ekuipazhi në bord shpëtuan.

1920 – Dy rojet të sigurisë u vranë gjatë një grabitje në Braintri të shtetit Masaçusets. Anarkistët Sako dhe Vanzeti do të dënohen dhe ekzekutohen për këtë krim, mes shumë polemikave rreth fajsisë së tyre.

1923 – Për herë të parë Insulina vihet në dispozicion për përdorim të gjërë nga njerëzit me diabet. Insulina ishte zbuluar në vitin 1922 dhe sot përdoret çdo ditë në trajtimin e diabetit. Ajo nxirret nga pankreasi e deleve, lopëve dhe me mënyra të tjera, përfshi syntetizimin në laborator. Insulina – hormon natyral i prodhuar nga pankreasi- është jetik për metabolizmin e karbohidrateve në trup. Një sipërbollëk i insulinës në organizëm shkakton shumëllojshmëri simptomash, përfshi gjendje kome.

1971 – Aktori George C. Scott refuzon çmimin Oskar për rolin e tij në filmin “Patton”, gjeneral i trupave amerikane në Evropë gjatë luftës së dytë botërore. Aktori Scot u tha gazetarëve se nuk e donte një nder të tillë pasi është poshtëruese që aktorët të konkurrojnë kundër njeri tjetrit. Ai e quajti ceremoninë Oskar një paradë mishi, shfaqje publike e sajuar për përfitime ekonomike.

1984 – Përurohet Dita Botërore e Rinisë në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikan.

1989 – Vdiq Hu Jaobang, ish-zyrtar i lartë kinez, vdekja e të cilit shkaktoi fillimin e demonstratave të bujëshme pro-demokratike në Sheshin Tiananmen në Pekin. Në vitin 1976 Mao Ce Duni vdiq. Në vitet 1980, në pushtet erdhi Deng Siaopingu, reformator, i cili i dha Hu Jaobangut një seri postesh të larta. Edhe Hu ishte për liberalizim. Ai ndërmorri një seri reformash ekonomike dhe politike; shumë vetë në radhët e konservatorëve brenda partisë nuk e deshën; gjetën rastin dhe e shkarkuan nga postet udhëheqëse. Ky veprim bëri të pakënaqur shumë kinezë të cilët donin të kishin të paktën më shumë liri ekonomike. Një ditë pas vdekjes së Hu Jaobangut, një grup demonstruesish dolën në sheshin Tienanmen duke kërkuar nga qeveria të rivlerësojë trashëgiminë e tij. Qeveria heshti. Një javë më vonë, një ditë para funeralit, rreth 100-mijë studentë vërshuan në sheshin Tiananmen, dhe qeveria i shtypi me tanke e dhunë; nuk dihet saktësisht sa demnstrues u vranë. Vetëm në vitin 2005, figura e Hu Jaobangut u rehabilitua zyrtarisht.

2013 – Dy bomba tenxhere me presion shpërthejnë në afërsi të vijës së finishit në maratonën e Bostonit, duke vrarë 3 persona dhe plagosur 264 të tjerë. Sulmi dyshohet se u krye nga vëllezerit Dzhokhar dhe Tamerlan Carnaev – Tamerlani u vra gjatë ndjekes nga policia, Dzhokhar u kap dhe ndodhet në paraburgim.

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe